Kjo është zëdhënësja ruse që e krahasoi Vuçiçin me Sharon Stone

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova ka kërkuar falje për një postim në Facebook, në të cilin ajo krahasoi foton e Presidentit serb Aleksandar Vuçiç në një takim me Presidentin amerikan Donald Trump me një skenë nga filmi “Basic instinct”.

Sidoqoftë, zonja Zakharova nuk e humbi rastin për të goditur Shtetet e Bashkuara.

“Kërkoj falje, por postimi im u keqinterpretua! E vetmja gjë që u mbajt në të ishte refuzimi ndaj qëndrimit arrogant të ‘të jashtëzakonshmit’.”

“Truket e protokollit janë bërë një nga teknikat që zyrtarët amerikanë përdorin rregullisht për të krijuar artificialisht dukshmërinë e ekskluzivitetit të tyre. Dhe kjo është e papranueshme”, shkruante zëdhënësja ruse.

Zonja Zakharova duket se e përçmoi zotin Vuçiç në një koment të mëparshëm në Facebook, duke thënë se ai ishte ftuar në Shtëpinë e Bardhë për t’u marrë në pyetje.

“Nëse ju kanë ftuar në Shtëpinë e Bardhë, dhe karrigia është vendosur sikur të ishit duke u marrë në pyetje, uluni si në foton numër 2. Kushdo që të jeni. Më besoni”.