“Jetojmë me borxhe, pa ndihma, pa shkollim”, 100 familje rome në Durrës të braktisur nga qeveria dhe bashkia

• “Jetojmë më borxhe, pa ndihma, pa shkollim”, PD me 100 familje rome në Durrës të braktisur nga qeveria dhe bashkia. Albana Vokshi: Do të ndryshojmë gjendjen me punësim dhe shkollim

Përfaqësuesja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, u takua me banorë të komunitetit rom në Durrës, të cilët kanë shprehur revoltën e tyre për braktisjen nga qeveria dhe bashkia. Të goditur nga tërmeti dhe nga pandemia, ata tregojnë kushtet e vështira të jetës dhe pamundësinë për të shkolluar fëmijët, mungesën e ndihmës sociale dhe nëpërkëmbjen në zyrat e administratës.

“Jam me fëmi të paralizuar në shtëpi. Jemi shtatë vetë në shtëpi dhe jam pa punë, pa asistencë, pa përkrahje sociale, pa një ndihmë nga shteti. Asgjë. Askush nuk na ka ardhur për librat, çantat, maskat. Askush nuk ka ardhur. Ne jemi të mbytur në borxhe për ushqimet që marr për fëmijët”. – shprehet një kryefamiljare, problemet e të cilës duken se ngjajnë me ato të banorëve të tjerë.

“Jemi 14 vetë në një shtëpi, djali ka katër fëmijë, s’kemi asnjë ndihmë, bukë nuk kam t’u jap fëmijëve të hanë”, thotë një banore. “Fëmijët tanë romë janë të varfër, pandemia na ka mbytur fare, tërmeti na ka dëmtuar. Nuk kemi marrë asnjë ndihmë, asnjë bonus. Ndihmat na kanë ardhur nga Kosova. Nga qeveria nuk na kanë ardhur. S’kemi pasur asnjë mbështetje as nga Bashkia, megjithëse jemi rreth 100 familje”, u shpreh i revoltuar një banor.

Ish deputetja Albana Vokshi vuri në dukje se mjerimi i komunitetit rom e shkakun tek vjedhja që qeveria dhe autoritetet e tjera bëjnë përmes projekteve që janë dedikuar për komunitetin, por mbushin xhepat e pushtetarëve. Zonja Vokshi i siguroi banorët e komunitetit rom në Durrës dhe në të gjithë vendin se me qeverisjen e vendit nga Partia Demokratike gjendja e tyre do të ndryshojë për mirë, duke patur në fokus punësimin e tyre dhe jo lëmoshën.

DEKLARATA E PLOTË E ALBANA VOKSHIT NË TAKIMIN ME KOMUNITETIN ROM NË DURRËS

“T’i bëjmë thirrje, jo qeverisë së sotme, sepse harrojeni që ajo do të mendojë për ju, ju ka lënë të braktisur kaq vite, por ne do të mundohemi që të rikthejmë vëmendjen ndaj komunitetit. Ju takon. Asgjë të jashtëzakonshme nuk do të bëjmë, vetëm do të zbatojmë ligjet, do të zbatojmë programet. Janë fondet që janë të dedikuara për komunitetin rom që vidhen dhe shkojnë në xhepat e tjetër kujt dhe nuk vijnë për mbështetjen tuaj.

Nesër, kur të jemi në qeverisje t’ju japim atë që ju takon, që të mos dridheni që po vjen një oligark që t’ju rrëmbejë tokën apo pronën, që t’ju nxjerrë në rrugë dhe mos keni ku të strehoni fëmijët. Ajo çka ne premtojmë sot është rikthimi i vëmendjes, është punësimi. Mos kërkoni lëmoshë, kërkoni të punoni që të paguani faturat e dritave, që të ushqeni fëmijët dhe të bëni një jetë të denjë, është e drejtë kushtetuese, është e drejtë ligjore. Nuk do t’ju japim lëmoshë. Do të rikthejmë vëmendjen, do t’ju riintegrojmë në shoqëri. Kjo qeveri nuk jua siguron dot. Ajo vjedh paratë me tenderat sekretë, paratë që duhej të vinin për ushqimin, për shërbimin shëndetësor dhe të vinin për arsimimin e fëmijëve. Do të vazhdojmë të jemi këtu me ju”.

1 18 2 15 4 8 5 3