Ivi Kaso: Edhe sikur votat të numërohen në Surrel, Rama është…

Ndërkohë që presidenti i Republikës ka dekretuar 25 prillin si datën e zgjedhjeve, Kuvendi ka nisur procedurat për anëtarët e KQZ-së.

Në bazë të ndryshimeve të Kodit Zgjedhor organi i ri do te jete me tre shkallë ku kryetari zgjidhet me konsensus ndërsa nënkryetari i takon opozitës.

Sekretari për Çështje Zgjedhore në PD, Ivi Kaso tha për Euronews Albania se për kryeministrin Edi Rama nuk ka qenë kurrë qëllim hapja e listave.

Sipas tij, qëllimi i kreut të qeverisë me hapjen e pjesshme të listave është të zbusë humbjen, duke përdorur marifete zgjedhore dhe t’u shesë shqiptarëve sapunin për djathë duke pretenduar se hap listat.

“Ndaj ka shpikur mekanizmin e hapjes së listës me 1/3 në mënyrë që të mbajë nën frerë partinë. Ne kemi qenë për një hapje 100 për qind të listave. Edhe për t’i hequr çdo alibi Ramës. Sondazhet ata i kanë në tryezë, që i nxjerrin humbës me ose pa koalicione”, tha Kaso.

Teksa akuzoi kryeministrin për prishje të rregullave të lojës në prag të procesit zgjedhor me votimin e njëanshëm të ndryshimeve kushtetuese, Kaso tha se plani i opozitës është i qartë dhe i njohur, largimi i kësaj qeverie.

“Opozita nuk e ka fshehur se ka një plan që së bashku me shqiptarët të largojë këtë qeverisje dhe t’u japin shqiptarëve një qeverisje të denjë.

Edhe sikur vota në numërohen në Surrel, kjo qeveri është e ikur dhe vendi do të shohë rotacionit që presin gjithë shqiptarët”, tha Kaso në Goodmorning Albanians.

safe image