Ish-ministri i Jashtëm: Bakojanis nuk flet kot, Rama nuk përballon opinionin publik ose ka diçka që nuk e dimë

Analisti dhe ish-ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj ka folur në studion e News24, në rubrikën “Opinion” për vizitën e kryeministrit Edi Rama në Greqi, çështjen e negociatave për detin dhe deklaratat e ish-ministres së Jashtme greke Dora Bakojanis.

Sa i përket ndërhyrjes së supozuar të Turqisë në prishjen e marrëveshjes së parë me Greqinë, siç tha Bakojanis, Mustafaj tha se nuk është e konfirmuar por nga ana tjetër shprehu konsideratë të lartë për ish-ministren greke që ishte nënshkruesja e saj, duke theksuar se nuk flet kot.

“Bakojanis ka qenë ministre e jashtme kur u nënshkrua marrëveshja e parë dhe normalisht nuk do ishte e kënaqur. Ajo nuk thotë ndonjë gjë të re, gjëra që janë folur por nuk janë konfirmuar për asistimin e Turqisë.

Nuk ka të dhëna zyrtare, këto do dalin shumë më vonë kur të hapen arkivat. Është një gjeneral turk që ka shkruar, por mbetet për t’u konfirmuar. Nuk them se ka ndodhur sepse nuk kam fakte por nuk e përjashtoj dot.

Me Dora Bakojanis kemi kaluar shumë momente bisedash, është një zonjë shumë serioze. Nuk është një njeri që bën blof, nuk provokon, një diplomate shumë klasike, e një stature që duhet marrë seriozisht.Kam bindjen të them se Dora Bakojanis nuk flet kot. Nuk them se gënjen Edi Rama, por edhe nëse gënjen nuk do ishte hera e parë. Rama nuk ka asnjë koherencë karakteri”, deklaroi Mustafaj.

Sa i përket deklaratës së kryeministrit për një palë të tretë për zgjidhjen e çështjes së detit, Mustafaj tha se do ishte dështim i bisedimeve.

“Nuk do ishte hera e parë që mosmarrëveshjet mes dy vendeve të shkohet në gjykatën ndërkombëtare. Por shkohet kur dështojnë bisedimet. Në nderin e dy vendeve do ishte të arrihej një marrëveshje.

Edi Rama me atë deklaratë ose e sheh se nuk ka ekipin që i duhet për të negociuar një marrëveshje të tillë ose nuk përballon opinionin publik, gjë që nuk e ka problem ose ka diçka që nuk e dimë. Kjo do të thotë që kryeministri ynë për një arsye që nuk e dimë ka kapitulluar”, deklaroi ai.