I jep lamtumirën “Tironës” lojtari simbol i “mbyte morrin e kuq, mbyte Beogradin”

Tirana ka shtangur të gjithë me njoftimin e fundit.

Klubi kryeqytetas ka konfirmuar largimin e mbrojtësit Gentjan Muça i cili ka kërkuar largimin nga kryeqytetasit me qëllim për t’i hapur rrugën brezave të rinj.

Kujtojmë se më 8 gusht Tirana njoftonte rinovimin me mbrojtësin, teksa tashmë duket një largim misterioz, aq më tepër para një ndeshje të rëndësishme si ajo ndaj Young Boys në Ligën e Europës.

Njoftimi i klubit:

Gent Muça largohet nga Tirana.

Pas një takimi që përfundoi në shtrëngim duarsh mes presidencës dhe lojtarit Gent Muça, ky i fundit ka kërkuar largimin e tij nga skuadra. Me kerkesë të futbollistit për të vazhduar karrierën si futbollist në fushën e blertë mbrojtësi shtatlartë ka hapur rrugën për brezat e rinj duke premtuar rikthimin e tij në bashkepunime të mëtejshme me familjen e tij bardheblu! Ne i urojmë suksese të mëtejshme në karrierën e tij, njeriut që Tiranës i dhuroi gjithë jetën e tij. Më poshtë gjeni deklaratën e lojtarit.

“Sot konfirmoj largimin tim nga Klubi i Futbollit Tirana. Pas viteve të tëra duke mbajtur veshur fanellën bardheblu lë pas një histori kampionësh dhe një vit të suksesshëm. Qëllimi kryesor i këtij largimi është për ti ofruar brezave të rinj mundësinë të prekin të njëjtën ëndërr që preka dhe unë.

Shtëpia e trofeve është dhe do të mbetet gjithmonë edhe shtëpia ime! E di që derën në këtë klub do ta kem të hapur kurdo. U rrita profesionalisht me dashurinë për ngjyrat bardheblu dhe i jam përgjithmonë mirënjohës këtij klubi. Falenderoj Presidentin për të gjithë mbështetjen e tij, stafin dhe të gjithë skuadrën që më kanë shoqëruar përgjatë rrugëtimit tim. I uroj ekipit suksese në Europa League dhe në cdo ndeshje mëtej. FALEMINDERIT!