Humb jetën nga Covid-19 në “Sanatorium” mjeku i njohur

Ndërron jetë në spitalin Covid-2 mjeku Sefer Dervishi. Dervishi ishte mjek nga Kavaja dhe ndodhej prej dy javësh i shtruar tek Sanatoriumi. Ai vuante edhe nga disa sëmundje bashkëshoqëruese.

Ndërkohë vazhdojnë të rriten me ritme të mëdha shifrat e infektimeve të reja në vend, për shkak të koronavirusit.

Siç bëhet e ditur nga burimet zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, në 24 orët e fundit numri i të infektuarve të rinj është 144.

Fatkeqësisht gjatë kësaj kohe kanë humbur jetën 3 qytetarë që ishin të shtruar në spital.

Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë

COVID-19/ Ministria e Shëndetësisë: 65 të shëruar, 144 raste të reja, 3 humbje jete në 24 orët e fundit

Mirela Cami

Drejtore e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon qytetarët që të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave anti-COVID për të frenuar përhapjen e infeksionit.

Ruani distancën fizike, lani shpesh duart, përdorni maska ose barriera mbrojtëse në ambiente të mbyllura dhe kudo ku nuk është e mundur të ruhet distanca, dezinfektoni objektet dhe ajrosni ambientet ku qëndroni.

Mos e ulni vigjilencën, virusi është ende mes nesh, dhe ne mund ta mposhtim atë vetëm nëse zbatojmë çdo ditë rregullat e vendosura.

Situata në spitale vijon të jetë e qëndrueshme. Aktualisht në spitalin Infektiv dhe ‘Shefqet Ndroqi’ po trajtohen 174 pacientë, 16 në terapi intensive nga të cilët 6 pacientë janë të intubuar.

Në 24 orët e fundit, me gjithë përpjekjet e mjekëve, e kanë humbur betejën me COVID19 një 57 vjeçar nga Lushnja dhe një 74 vjeçar dhe një 83 vjeçar nga Tirana. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve.

Janë kryer në 24 orët e fundit 824 testime dhe janë konfirmuar 144 qytetarë të prekur me COVID19.

Rastet ditore të identifikuara si rezultat i gjurmimit, testimit dhe hetimit epidemiologjik janë si vijon :

55 raste në Tiranë, 15 në Fier, 10 në Elbasan, 9 në Vlorë, nga 7 raste në Durrës, Kurbin, Divjakë, Gramsh, 6 në Korçë, 5 në Lushnje, nga 3 raste në Shkodër, Pogradec, Delvinë, nga 2 raste në Krujë, Përmet, nga 1 rast në Kavajë, Berat, Gjirokastër.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 65 qytetarë, duke e çuar në 6733 që nga fillimi i epidemisë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju kujton të mos neglizhoni shenjat e sëmundjes dhe në çdo rast të kontaktoni urgjencën kombëtare në numrin 127, kur dyshoni se jeni i prekur nga Sars-Cov2.

Qëndroni në kontakt me mjekun e familjes dhe për çdo informacion të sigurt rreth koronavirusit, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40, të vendosur në dispozicion nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

COVID-19 – Statistika (16 Shtator 2020)

Testime totale 76400

Raste pozitive 11816

Raste të shëruara 6733

Raste Aktive 4740

Humbje jete 343 (Qarku Tiranë 165, Durrës 45, Shkodër 39, Elbasan 21, Fier 18, Korçë 15, Lezhë 13, Kukës 8, Dibër 7, Vlorë 6, Gjirokastër 4, Berat 2).

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:

Tiranë 2372

Durrës 526

Shkodër 365

Lezhë 274

Elbasan 262

Korçë 214

Fier 212

Vlorë 181

Kukës 140

Berat 93

Dibër 51

Gjirokastër 50