Hapja e shkollave/ Vokshi: Mbi 20 mijë nxënës nuk shkojnë dot, shumë shkolla nuk kanë asnjë mundësi për zbatimin e anti-Covid

Ish-deputetja e PD, Alban Vokshi, në rubrikën “Opinion” në News24 foli për hapjen e shkollave më 14 shtator, në kushtet e pazakonta të pandemisë së koronavirusit.

Vokshi tha se, janë mbi 20 mijë nxënës dhe mijëra mësues që nuk do të fillojnë shkollën, për shkak të godinave të shkatërruara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

“Më shumë se 20 mijë nxënës dhe mijëra mësues nuk shkojnë dot në shkollë më 14 shtator. Një pjesë e mirë e këtyre nxënësve do detyrohen të udhëtojnë me orë të tëra, për të shkuar në shkolla të tjera. Në Ishëm janë 3 shkolla të shembura dhe fëmijët e 5 komunave detyrohen të udhëtojnë 7-8 km dhe të shkojnë në një shkollë të vetme, në atë të Lalzit, që ka vetëm 6 klasa. Janë 180 nxënës, që sistemohen në një shkollë të vetme me 6 klasa, që janë si magazina, dhe mësimi do të zhvillohet vetëm me një turn. Është totalisht e pamundur të ruhet distancimi social, por edhe higjiena”, deklaroi Vokshi.

Çfarë iu thanë prindërit, do i dërgonin fëmijët e tyre në shkollë?
Një pjesë e mirë nuk ishin kontaktuar nga Ministria e Arsimit as drejtoria rajonale, nuk kishin asnjë mbështetje sa i përket masave mbrojtëse, asnjë informacion sa i përket teksteve. Ishte një terr informativ, ata ishin shumë të shqetësuar. Bëhet fjalë për mijëra fëmijë, që janë ende nëpër çadra. Janë prindër që s’kanë me çfarë të ushqejnë fëmijët e tyre, e si mund të paguajnë për maskat, dezinfektantët.

A keni informacion se pas denoncimit që keni bërë janë marrë masa?
Me aq informacion sa kemi, prindërit vazhdojnë të jenë të painformuar se si do shkojnë fëmijët në këtë shkollë. Nuk është marrë asnjë masë. Dëgjuam Ramën sot që premtoi rritje të pagave për mësuesit dhe kjo vjen vetëm pak muaj para zgjedhjeve. Është thjesht një premtim elektoral. Në shtatë vite e gjysmë ai ua ka rritur vetëm 7 mijë lekë të vjetra pagën mësuesve. Deri më sot Rama nuk e ka pas në vëmendje trajtimin me dinjitet dhe respekt të mësuesve. Jo vetëm aq, por Rama sot mashtroi kur tha se ka zhdukur politizimin në emërimin e mësuesve. Ka mijëra raste, kur mësuesit janë larguar nga puna ose janë degdisur nëpër fshatra, vetëm se kanë qenë simpatizantë të PD.

Merrini me radhë drejtuesit e arsimit në rrethe, janë të gjithë të emëruar politikë. Si mundet pra të thuhet se është hequr plaga e politizimit. Ne si PD kemi kërkuar të bëhet depolitizimi i arsimit, që është thelbësor. PD e ka në plan depolitizimin, por ky që thotë Rama nuk është depolitizim. Portali i tij ka dështuar, pasi mësuesit nuk punësohen sipas renditjes në portal, por punësohen nëse je kushërirë e deputetes, apo drejtues i PS në një degë të caktuar, etj. Portali pra ka dështuar, nuk ka funksionuar, por është përdorur vetëm si mjet propagande.

A kanë shqetësim mësuesit për këtë vit të ri shkollor?
Kemi pasur takime të shumta me prindër të fëmijëve, gjatë javëve të fundit, por edhe me mësues, shoqata, sindikata, përfaqësues të komunitetit rom, me prindër të fëmijëve me aftësi të kufizuara. Shqetësimet e tyre janë shumë të mëdhaja, problematikat po ashtu. Mësuesit kanë shqetësimin, sepse deri më tani edhe në shkollat ku japin mësim e kanë të pamundur të sistemojnë fëmijët. Është e pamundur për mësuesit të përballojnë ngarkesën, pa mësues shtesë, pasi iu është kërkuar të punojnë me tre turne.

Sa njerëz jetojnë ende në çadra?
Nuk di të japë informacion të saktë, por di shifrën e qeverisë që thoshte në shkurt se janë 13 mijë banorë në çadra. Unë them se kjo shifër është ende, pasi nuk është bërë asgjë.

Sa dakord jeni me protokollin anti-Covid kur të nisë viti shkollor?
Ne si PD kemi qenë dakord për hapjen e shkollave, sepse mësimi online nuk është zgjidhja e parë që duhet bërë, vetëm kur nuk ke zgjidhje tjetër. Por ne kemi kërkuar që protokollet e sigurisë të publikoheshin shumë kohë më parë, sepse duhet të kishte dhe një fushatë sensibilizimi, që ka munguar totalisht. Ky protokoll nuk është fare i zbatueshëm, sepse unë kam qenë vetë në terren, kam parë shumë shkolla, që nuk kanë asnjë mundësi për zbatimin e tij. Ne kërkojmë që qeveria të marrë të gjitha masat para datës 14 shtator. Nuk po flitet për testimin e mësuesve. Në PD kanë ardhur denoncime se ka drejtorë shkolle në Tiranë të infektuar me koronavirus. Nuk flitet për të fare.

Do ndihmojë PD në këtë situatë?
PD e ka ngritur grupin e punës, sepse ne kemi kaq javë që jemi në terren për të monitoruar situatën në shkolla. Do vazhdojmë të jemi çdo ditë pa reshtur në terren, me prindërit, mësuesit. Do vazhdojmë të sensibilizojmë, në mënyrë që qeveria të marrë masa para datës 14 shtator. Kryetari Basha është në krye të grupit të punës dhe vazhdon të informohet.