Gjermania: Plotësimi i menjëhershëm i Gjykatës Kushtetuese, kusht i BE

Ambasadori gjerman në Shqipëri, Peter Zingraf, në një takim me drejtuesen e KED dhe njëkohësisht kryetaren e Gjykatës Kushtetuese Vitore Tushën, ka theksuar se funksionaliteti i kësaj gjykate është i një rëndësie qëndrore për demokracinë.

Ai ka shtuar edhe se funksionimi i Gjykatës Kushtetuese është kriter edhe për zhvillimin e konferencën ndërqevitare për negociatat e pranimit të BE.

Deklara e Zingraf:
Një Gjykatë Kushtetuese funksionale është e një rëndësie qendrore për demokracinë dhe besimin e shqiptareve dhe shqiptarëve në institucionet e tyre. KED-ja luan një rol të rëndësishëm në plotësimin e pozicioneve vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Unë jam mirënjohës për shpjegimet e zonjës Tusha në lidhje me punën e KED-së përgjatë verës, që prej marrjes së funksionit të saj si dhe për hapat e mëtejshëm. Znj. Tusha solli në vëmendje rëndësinë e opinionit të Komisionit të Venecias për plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese.

Unë shpresoj se me plotësimin e vendeve të tjera të rivendoset mundësisht menjëherë funksionaliteti i Gjykatës Kushtetuese. Ky është një kriter i rëndësishëm edhe për çështjen se kur do të zhvillohet konferenca ndërqeveritare për negociatat e pranimit në BE. Gjermania do ta mbështesë Shqipërinë edhe më tej në fushën e reformës në drejtësi.