Fshati! A mund të rijetësojmë fshatrat?

Nga Albert AVDULI

Braktisja e fshatrave është një brengë individuale, familjare, krahinore, kombëtare. Familjet i braktisën ato shtëpi sikur nga kolera dhe rrallëkush e kthen kokën nga ajo rrugë ku dikur u larguan.

Me të drejtë ikën. Ai truall, pak gëzime ju kishte dhënë, mjerim e vuajtje shumë. Atëhere menduan se ajo tokë nuk i ushqente dot. Rendën në emigrim e kur krijuan disa të ardhura, financuan blerjen e një shtëpie në qytet.

Në ato shtëpi dërguan prindërit e moshuar sepse kishin spitalet më pranë. Dërguan dhe bashkëshorten me fëmijët sepse fëmijët duheshin shkolluar. Punuan e shtuan të ardhurat, u paisën me leje qëndrimi në vendet ku kishin emigruar.

Mbas kësaj morën familjen në shtetin pritës. Kredi për shtëpi e makinë dhe detyrimet shkollore. Jeta u vu në një start të ri. Dikush nuk e përballoi dot dhe u rikthye në atdhe, por tashmë banesa ishte në qytet dhe mbeti peng në kaosin urban. Në fakt, mbetëm peng të paqartësisë tonë sesi investuam.

Gjithësesi, ne duhet të kthejmë sytë dhe kujdesin nga themelet tona. Ka fshatra në të cilat është rikthyer jeta dhe vitalizimi i tyre. Sigurisht, bëhet fjalë për fshatrat bregdetare dhe ato pranë qendrave urbane.

Fshatrat e ndodhur në brendësi apo thellësi të vendit dhe rrugëve kombëtare pothuajse janë shuar. Duke gjykuar se ky vend është i vogël, kuptohet se edhe distancat nuk janë lebetitëse. Mendoj se qeveria duhet të hartojë politika nxitëse që secili të rindërtojë shtëpinë e fshatit. A mundet … ?

Po, duke bërë të kalueshme rrugët lidhëse, por edhe duke dhënë kredi me interesa të ulëta për aplikantët. Marr për shembull një familje me të ardhura mesatare: Nëse i akordohet një kredi prej 3 milion lekësh me afat shlyerje 10 vite, mundet ta ringrejë shtëpinë e fshatit. Trualli, themelet, gurët janë aty.

Mbi të gjitha, malli dhe varret e gjyshërve janë atje. Atëhere nëpunësi, mësuesi, mjeku, inxhinieri, avokati, hidrauliku, bojaxhiu, taxixhiu e kushdo do rendnin drejt gjurmës së tyre. Nëse ngrihet shtëpia, do thuret kopshti rreth saj, do mbillen ullinjë, dardha, gështenja, mollë, limona, kumbulla, arra, bajame, sheg, fiq, pjergulla.

Jo, nuk do mbushin tregun, por do vjelin për vete dhe fundjavën do ta presin me padurim. Qyteti do shkarkojë mijëra frymë për ato tre ditë dhe e hëna do mbërrijë më e lehtë për familjet përftuese.

Idea ime është patetike ndoshta dhe hedhur rrufeshëm në këto rreshta, por ekspertët e ekonomisë, bujqësisë, mjedisit dhe shëndetësisë mund ta argumentojnë ose ta rrëzojnë.

Unë do doja…