Familjarët ushqime dhe veshmbathje për të afërmit e sëmurë, çfarë po ndodh në spitalin e “Covid 2”

Gjatë ditës së sotme situata në spitalin “Shefqet Ndroqi” paraqitet e qetë. ABC News ka ndjekur nga afër situatën në të dy Spitalet Covid, ndërkohë që paraditen e kësaj të marte në Sanatorium ka mbërritur një autoambulancë, e cila ka sjellë një pacient që duket se ka patuar nevojë për trajtim mjekësor.

Ndërkohë pranë këtij spitali kanë mbërritur edhe familjarë të 5 pacientëve të shtruar në Sanatorium.

Siç raporton gazetarja Ajgena Korbi për ABC News, familjarët e këtyre pacientëve kanë thënë se 2 prej tyre, arrijnë të komunikojnë me familjarët, dhe se gjendja shëndetësore e tyre është e stabilizuar.

Sipas tyre, një prej pacientëve nuk mund të komunikojë me të afërmit, pasi ndodhet në terapi intensive.

Mjekët kanë thënë se gjendja e të afërmit të tyre është e rënduar, dhe informacionin për të sëmurin e marrin përmes bluzave të bardha.

Si çdo ditë tjetër, në hyrje të spitalit qëndron një prej efektivëve i cili monitoron hyrje-daljet në këtë spital.

Gjithashtu në hyrje të spitalit, shihen edhe familjarë të të shtruarve tek “Shefqet Ndroqi” të cilët sjellin ushqime apo veshmbathje, për të afërmit e tyre të shtruar në Covid 2.

N.D./abcnews.al