Deputeti i Ramës: Kazinotë do t’i hapim në qendër të Tiranës se aty nuk banojnë njerëz të zakonshëm

Deputeti i Partisë Socialiste Alket Hyseni thotë se lejimi i hapjes së lojrave të fatit, apo kazinove, në Tiranë nuk do të ndikojë në varfërimin e popullatës, siç deklaruan sot politikanë të opozitës jashtëparlamentare.

Sipas Hysenit një gjë e tillë nuk ndodh pasi kazinotë do të lejohet të ndërtohen vetëm në qendër të Tiranës, ku nuk banojnë “njerëz të zakonshëm”.

“Qendra e Tiranës nuk banohet nga njerëz të zakonshëm, ju e dini. Dhe do të jetë një në qendër. Nëse dikush ka vullnet për të luajtur mund të shkojë edhe në Malin e Zi. Ka disa shqiptarë që ikin e luajnë në Malin e Zi. Ka të huaj që duan të vijnë të luajnë, ne po flasim për këtë pjesë. Nuk mund të flasim me konceptet e marksizmit.

Kjo nuk është një temë që i intereson njerëzve të thjeshtë. Ne i hoqëm mundësinë familjeve të varfëra, që sa dilnin nga shtëpia kishin tabela shumëngjyrëshe me drita që i thithnin ata. Është i njëjti ligj, nuk ka ndryshuar, është ligji që thotë në zona turistike dhe në hotele me 5 yje. Kjo përcakton që një zonë të caktuar nuk mund të kemi më shumë se një kazino, u shpreh ndër të tjera Hyseni në “Abcnews”.