Deklarata e fortë e ambasadores së SHBA: Të inkriminuarit larg duart nga zgjedhjet, zbatoni dekriminalizimin për kandidatët

Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim u ka dërguar letër drejtuesve të partive politike në vendin tonë për kushtet e përzgjedhjeve të kandidatëve për deputetë. Letra është dërguar në nisje të përzgjedhjes së kandidatëve për zgjedhjet e 2021, që po kryhet nga partitë më të mëdha në vend.

Diplomatja amerikane u kërkon krerëve të partive politike që të mbajnë përgjegjësi për pastërtinë e figurës së kandidatëve të ardhshëm për deputetë.

Po ashtu ajo inkurajon të gjithë partitë të kontrollojnë kandidatët dhe të përzgjedhin vetëm ata që janë të kualifikuar dhe respektojnë votuesit shqiptarë.

Letra e plotë
I dashur Kryetar i Partisë,
Më 22 korrik ne nënvizuam për publikun se udhëheqësit e partisë janë të përgjegjshëm për emrat që kandidojnënën flamurin e partisë. Ndërsa partia juaj përgatitet për fushatën zgjedhore, ju si udhëheqës i partisë, duhet të siguroni që emrat nuk bien ndesh me ligjin shqiptar.

Ne inkurajojmë të gjitha partitë politike të emërojnë vetëm ata që janë të kualifikuar dhe respektojnë votuesit shqiptarë. Ndërsa individi është përgjegjës për të treguar historinë kriminale, udhëheqësit e partive duhet të sigurojnë integritetin dhe vërtetësinë e deklaratave të atyre që kërkojnë zyrë dhe të garojnë nën flamurin e tyre.

Ligji i Dekriminalizimit përcakton se personat e dënuar, të ndjekur penalisht ose me rekorde krimale në Shqipëri ose jashtë nuk kanë të drejtë të emërohen në pozicione publike. Siç e dini, SHBA është e përkushtuar për të luftuar korrupsionin dhe qëndron me këdo që kërkon ndëshkimin e zyrtarëve të korruptuar.

Ju mund të luani një rol në këto përpjekje duke mbajtur këta individë të njohur e të korruptuar jashtë listës suaj të partisë. Mbështetni dëshirën e popullit shqiptar për qeverisje të mirë nga përfaqësuesit e tij në parlament në përputhje me dëshirën e tij për demokraci më të mirë, udhëheqës më të mirë dhe një të ardhme më të mirë.

Letra ndaj tyre është nisur një ditë më parë në 31 gusht.

doc