Covid-19/ Nju Jorku shtyn datën e fillimit të vitit shkollor

Qyteti i Nju Jorkut mund të jetë një ndër qytetet e para amerikane që i kthen fëmijët në shkolla këtë muaj sipas planit të ri, të miratuar nga kryetari Bill de Blasio dhe sindikatat.

De Blasio tha se është pajtuar që të shtyhet fillimi i vitit shkollor për 11 ditë, deri më 21 shtator, për të zbatuar masa më të ashpra të sigurisë, të cilat janë kërkuar nga sindikatat.

Në mesin e masave përfshihet kërkesa që deri 20 për qind e studentëve dhe stafit në të gjitha shkollat të testohet çdo muaj, të ketë më shumë hapësirë mes bankave dhe sistem më të mirë të ajrosjes.

Ai tha gjithashtu se shpreson që të gjithë nxënësit t’i kalojnë deri në tri ditë në javë në shkollë dhe pjesën tjetër të kohës ta kalojnë në mësim përmes internetit. Sidoqoftë, ai tha: “Asgjë, asgjë nuk e zëvendëson mësimin në objekte shkollore”.

Nxënësit në Los Angeles dhe Chicago tashmë e kanë filluar vitin e ri shkollor vetëm përmes internetit, shkruan BBC.

Shtetet e Bashkuara janë vendi më i prekur në botë nga Covid-19 me më shumë se gjashtë milionë të infektuar.