Covid-19 del jashtë kontrollit, virusi futet në shkolla, universitete e fasoneri, dorëzohet qeveria!

Dy kate të rektoratit të universitetit “Ismail Qemali” në qytetin e Vlorës janë mbyllur deri në dezinfektimin e tyre, pasi 3 punonjës të administratës kanë rezultuar pozitiv me koronavirus.

Ekipet epidemiologjike po gjurmojnë kontaktet e tyre dhe aktualisht janë izoluar dhe 10 persona të tjerë, të cilët po presin përgjigjen e tamponit. Sipas burimeve për A2, gjithashtu është mbyllur dhe departamenti i Biologjisë brenda këtij universitetit.

Ndërkohë një fasoneri është mbyllur në Pogradec pasi tre punonjëse kanë rezultuar pozitive me COVID-19. Punonjëset janë karantinuar kurse janë marrë tamponët dhe kontakteve të afërta.

Njësia administrative Bubullimë në rrethin e Lushnjës ka mbyllur dyert, duke mos qenë disponibël për t’i ofruar shërbimet administrative qytetarëve. Burimet bëjnë me dije se pas daljes pozitive të një prej punonjësve të njësisë administrative, pjesa tjetër e stafit është karantinuar deri në dalje të përgjigjeve të tamponit.

Po ashtu dhe dy infermiere që punonin në fshatra janë infektuar me COVID-19 ndërkohë janë zëvendësuar nga dy kolege të tjera.

Sa i përket sistemit arsimor, një nxënës është së fundmi në Pogradec me COVID-19, por nuk bëhet me dije se në cilën shkollë.

Rinisja e mësimit shkollor në arsimin para-universitar është një thikë me dy presa që mund të ndikojë në përhapjen e mëtejshme të virusit, në ato raste kur nuk zbatohen me rigorozitet protokollet e shëndetësisë.

Numri i mësuesve të zyrtarizuar me Covid-19 në shkollën “Shefqet Tançi” në lagjen e re të Bulqizës, ka shkuar në 5, duke e bërë situatën në këtë institucion alarmante. Po ashtu mësohet se ka rezultuar pozitiv edhe një nxënës në shkollën e Çerenecit.

Ndonëse në shkollën “Shefqet Tançi” janë pesë mësues të infektuar, mësimi vijon pa ndërprerje. Burime jo zyrtare thanë se bashkëshorti i njërës prej mësuesve në këtë shkollë vijon të shkojë në punë.

Kujtojmë së gjatë 24 orëve të fundit në vend kanë rezultuar 159 raste të reja pozitive si dhe kanë humbur jetën 4 persona.