Çfarë fshihet pas qëndrimit rus ndaj protestave në Bjellorusi?

Russia's President Vladimir Putin (R) and his Belarus' counterpart Alexander Lukashenko walk in as they attend a session of the Supreme State Council of the Union State at the Kremlin in Moscow on March 3, 2015. AFP PHOTO / POOL / SERGEI KARPUKHIN (Photo credit should read SERGEI KARPUKHIN/AFP via Getty Images)

Me protestat masive në Bjellorusi që nuk duket se po zbehen pas zgjedhjeve të kontestuara presidenciale të 9 gushtit, udhëheqësi i kahershëm i vendit, Alexander Lukashenko po kërkon ndihmë nga Rusia për të garantuar mbajtjen e pushtetit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Charles Maynes shpjegon se pas përgjigjes së Kremlinit, janë ngritur shqetësime gjeopolitike dhe të brendshme mbi motivet e Moskës.

Lukashenko kërkon mbështetjen e Moskës për të ruajtur pushtetin

Protestat masive në Bjellorusi, në të cilat po bëhet thirrje për zgjedhje të lira pavarësisht kërcënimit të shtypjes nga policia, kanë frymëzuar aktivistët pro-demokracisë në të gjithë globin.

Por qeveria e Rusisë ka hedhur një vështrim më të kujdesshëm mbi ngjarjet në anën tjetër të kufirit të saj.

Ashtu si udhëheqësi i kahershëm bjellorus Alexander Lukashenko, Presidenti rus Vladimir Putin ka dominuar politikën kombëtare në dy dekadat e fundit.

Javën e kaluar, udhëheqësi rus sinjalizoi se Kremlini ishte gati të ndërhynte në emër të qeverisë së zotit Lukashenko, për të ruajtur ndikimin rus në vend nëse kjo do të ishte e nevojshme.

“Alexander Grigoryevich (Lukashenko) më kërkoi të krijoja një forcë policore rezervë për të. E bëra këtë. Ne gjithashtu ramë dakord që ajo të mos përdorej nëse situata nuk del jashtë kontrollit.”

Vendimi i zotit Putin është nxitur nga interesat gjeopolitike, por edhe nga shqetësimet se lëvizja bjelloruse pro-demokracisë mund të përhapet në vendin e tij, thonë analistët.

“Nga njëra anë mund të jetë frika prej një ndikimi politik, një lloj infeksioni që do të mund të përhapej nga Bjellorusia. Nga ana tjetër, ne kemi infeksionin tonë në Khabarovsk”, tha Andrei Kolesnikov nga Qendra Carnegie e Moskës.

Mijëra njerëz në Khabarovsk, në Lindjen e Largët të Rusisë, janë hedhur në një protestë disa javore pas arrestimit dhe largimit nga Kremlini të një guvernatori lokal popullor, ndaj të cilit janë ngritur akuza për vrasje që datojnë më shumë se një dekadë më parë.

Protestuesit kanë shprehur solidaritet me kauzën e lëvizjes opozitare në Bjellorusi.

Dyshimi për helmimin e udhëheqësit të opozitës Alexey Navalny gjatë një udhëtimi në Siberi në fillim të këtij muaji ka nxitur më tej zemërimin kundër zotit Putin.

Kremlini u ka rezistuar thirrjeve për të hapur një hetim kriminal, duke argumentuar se konkluzionet rreth helmimit të zotit Navalny janë të parakohëshme.

Ndërsa mbështetësit e zotit Navalny argumentojnë se sëmurja e papritur e udhëheqësit të opozitës është shenja e fundit se sistemi politik i Rusisë është po aq i manipuluar dhe i dhunshëm sa ai në vendin e tyre fqinj, Bjellorusi.

Zoti Navalny po punonte për të nxitur votuesit që të mbështesnin kundërshtarët e qeverisë në zgjedhjet rajonale ruse të 9 shtatorit.

Por duke marrë parasysh mbështetjen në rënie për partinë në pushtet të zotit Putin, Rusia e Bashkuar, kandidatët rivalë po shprehin shqetësimin se Bjellorusia mund të hedhë hije të padëshiruar mbi procesin e numërimit të votave.

“Ata madje nuk po e vënë në pikëpyetje mundësinë e manipulimit të zgjedhjeve. Të gjithë janë të sigurtë se do të ketë manipulim (të votave). Ata po thonë,”a do të ketë mashtrim të stilit bjellorus?””, thotë analisti Boris Kagarlitsky.

Pretendimi i zotit Lukashenko për një fitore të madhe, me 80 për qind të votave shkaktoi zemërimin e publikut dhe zhyti vendin në krizë politike.

Ndërsa rusët përgatiten të dalin në votime në kohë të vështira, besimi i publikut në vërtetësinë e rezultatit të zgjedhjeve mund të përcaktojë shkallën në të cilën Bjellorusia do të jetë një paralajmërues i gjërave që do të pasojnë.