Berisha: Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë ka garanci Shtëpinë e Bardhë, portet tona do kenë peshë të jashtëzakonshme

Ish-Kryeministri Sali Berisha tha në emisionin Çim Peka LIVE se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë tani e ka një garant të fortë.

“Ky takim u thirr për marrëdhënie ekonomike. I zoti i shtëpisë, në mënyrë të përsëritur informoi se do të trajtojë çështje ekonomike, se do të zbatojë doktrinën e presidentit të tij se me përmirësimin e marrëdhënieve ekonomike do të vijë përmirësimi i marrëdhënieve politike.

Askush nuk u nis për një marrëveshje finale, nuk thanë asnjëherë për marrëveshje finale, thanë që janë të hapur, por thanë se thërrasin këtë takim për normalizim të marrëdhënieve ekonomike,” tha Berisha.

“Kjo marrëveshje u firmos në Dhomën Ovale. Është nga marrëveshjet e pakta që firmoset në atë dhomë.

Zotëria për ta zhvlerësuar tha se nuk kishte asnjë gjë të re. Problemi është se ata tani kanë një garanci që është Shtëpia e Bardhë për zbatimin e e tyre. Nëse presidenti Trump i fiton zgjedhjet, ai do insistojë zbatimin e atyre që u firmosën para tij,” tha Berisha.

I pyetur për akuzat se portet tona po vendosen në dispozicion të Serbisë, Berisha tha: “Kur u ndërtua korridori i kombit, beteja strategjike kundër ishte se i bënte portet tona, portet më të rëndësishme të rajonit”.

“Dy porte kanë rivalizuar në shekuj, Durrësi dhe Selaniku. Korridori i kombit, hekurudha më pas, i bën portet tona absolute më fizibël për Maqedoninë, Serbinë dhe një pjesë të Bullgarisë dhe Hungarisë. U jep një peshë të jashtëzakonshme porteve tona.

Në mandatin e dytë jam marrë me seriozitet të madh me projektin e hekurudhës Durrës-Prishtinë”.