Basketbolli thyen kufijtë Shqipëri-Kosovë, me ligë të përbashkët, nis muajin tjetër

Në Tiranë është nënshkruar marrëveshja historike për formimin e Ligës Unike në basketboll mes Kosovës dhe Shqipërisë. Marrëveshjen e kanë nënshkruar, presidenti i FSHB-së, Avni Ponari dhe kryetari i FBK-së, Arben Fetahu.

Arben Fetahu ishte i lumtur që më në fund ky projekt madhor po finalizohet. “Jam shumë emocional në këtë ditë sikur kjo, ku po finalizojmë ligën unike të basketbollit. Dua të falënderoj të gjithë për përkrahjen që kanë treguar rreth kësaj lige që besoj se do të jetë shumë e veçantë dhe promotore e basketbollit shqiptar në përgjithësi”.

“Prej ditës së parë kemi hasur në pengesa, por nuk jemi ndalur duke i tejkaluar të gjitha për ta krijuar këtë ligë që është e para mes Kosovës dhe Shqipërisë. Ky është moment historik dhe si sporti i parë që po e bëjmë këtë lëvizje shpresoj që të hapim dyert edhe për sportet tjera për një lëvizje të tillë”, deklaroi Fetahu.

“Është një projekt, të cilin e kisha për zemër që nga dita e parë kur u zgjodha në krye te federatës dhe tani kjo liga e përbashkët ka marrë përkrahje nga të gjitha anët. Finalizimi i kësaj lige nuk ishte aspak i lehtë, por jam i bindur se liga unike do t’i bëjë bashkë të gjitha trojet shqiptare dhe promovuese për basketbollin shqiptar. Mendoj se kjo ligë do ta dërgoj basketbollin shqiptar drejt suksesit dhe jehonës”, deklaroi Avni Ponari, president i FSHB-së.

Marrëveshjen e ka përshëndetur edhe Presidenti i FIBA Evropës, Turgay Demirel, duke ofruar përkrahjen për këtë ligë, por edhe për basketbollin e Kosovës dhe atë të Shqipërisë. Ai përgëzoi dy federatat për këtë iniciativë, sidomos në këtë kohë të pandemisë. “Basketbolli tani ka nevojë për risi dhe forma të reja të bashkëpunimit për të ngritur interesimin, por edhe nivelin e garave”, deklaroi Demirel.

Vlora Dumoshi ishte e nderuar që ishte pjesë e kësaj marrëveshje historike. “Jam shumë e nderuar që jam pjesë e kësaj marrëveshjeje historike që po nënshkruhet mes Shqipërisë dhe Kosovës. Për mua ka qenë një befasi e këndshme dhe e mirëpritur. Me padurim kam pritur që kjo ligë është bërë realitet për çka falënderoj presidentët e federatave për realizimin e kësaj ëndrre të të gjithë shqiptarëve”, nënvizoi Dumoshi.

Ndërkohë, Besa Shahini u shpreh: Liga Unike e basketbollit i bën bashkë shqiptarët dhe kjo vetëm tregon dëshirën e shqiptarëve që të bashkëpunojnë. Ky projekt është në vazhdën e projekteve të vitet të fundit që janë realizuar vitet e fundit”.

Para nënshkrimit të marrëveshjes është mbajtur mbledhja e parë e Bordit Drejtues.

Anëtarë të Bordit Drejtues të Ligës Unike janë: Shaqir Totaj, Edmond Biqoku, Elvira Dushku, Korab Llazani, derisa kryetar është zgjedhur Ilir Trebicka, një emër i njohur që ka dhënë shumë kontribut në basketbollin shqiptar apo edhe ikonë e basketbollit shqiptar.

Bordi më pas e emëroi drejtorin e Ligës, Dren Zatriqin, kurse Sekretar Teknik është zgjedhur Fidan Hamiti. Ndërkohë, Zyrtari i Marketingut do të jetë Dren Hasangjekaj, kurse Zyrtare e Financave, Nadire Kajashi.

Liga do të fillojë në muajin e ardhshëm dhe do të përbëhet nga tetë skuadra, katër më të mirat e Kosovës dhe katër më të mirat e Shqipërisë.