Basha me mjekë dhe ekspertë: Jemi vendi me më pak testime! Rama dilte live në Facebook, tani është zhdukur!

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha thirri sot në një takim mjekë, specialistë dhe anëtarë e Taskt Forcës së ngritur pranë PD për të disktuar situatën e rëndë të pandemisë së COVID-19.

“Dilte 10 orë në ditë në televizor kur vdekjet ishin 1/10 e atyre që janë sot, ndërsa tani është zhdukur, thua se nuk jemi më në pandemic. Mjeku i familjes nuk ka protokoll mjekimi dhe as nuk është futur siç kemi rekomanduar, një pjesë integrale e kujdesit shëndetësor për tu përballur. Nëse ke Covid, ose të çon urgjenca në spital, ose rri në shtëpi dhe merr mjekim me celular.

Paketa e rimbursimit për diagnozën dhe mjekimin për të gjithë pacientët me Covid pozitiv. Nuk mund të shkojë asnjë qindarkë vëçse të trajtojë prioritetet e përballjes me pandeminë dhe ndër më kryesorët është që këta njerëz edhe pandemisë kanë qenë në gjendje të këputur ekonomike, tani të kenë rimbursimin e plotë.

Pajisjet investiguese dhe trajtuese, gjashtë muaj pasi ka nisur pandemia vazhdon mungesa në spitale. Çdo shërbim duhet të jetë i paguar nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë. Duhet të kemi minimalisht 2500 testime në ditë, gjë që ia kemi bërë të qartë qeverisë që në fillim.

Kemi 2 çështje të tjera, atë të hapjes së sezonit shkollor ndërkohë që po shohim infektime masive të mësuesve dhe nuk ka asgjë veç formularit qesharak. Mësuesit janë pa maska. Dezinfektantët për fëmijët që duhet ti blejnë prindërit nuk i blejnë.

E dyta është sezoni i gripit stinor që kemi kërkuar prej muajit korrik të merren masat. Dyndja në spitale do të jetë e papërballueshme dhe shkalla e menaxhimit do të jetë akoma më e papërballueshme.

Se si do të përballet sistemi shëndetësor në të gjithë vendin për personat që mendojnë se kanë Covid dhe mund të kenë grip sezonal, mendoni këtë situatë dhe nuk është fare teorike, por katastrofë nëse nuk hidhen hapa.

Hapi i parë që duhet hedhur është vaksinimi për gripin sezonal. Njerëzit po flasin për valë të dytë, nuk ka valë të dytë. Më parë dilte i pari i qeverisë live në facebook, ndërsa sot është zhdukur pa lënë gjurmë a thua se nuk ka pandemi.

Brenda javës të dalim me një propozim konkret drejtuar atyre që për fat të keq kanë celësat e qeverisjes. Tani bëhet fjalë për shëndet, për jetën dhe larg qoftë vdekjen e qytetarëve tani. Duhet të themi fjalën tonë se cfarë duhet bërë urgjentisht”, u shpreh Basha.

Pasi dëgjoi mjekët dhe referuar edhe nga raportimit e situatës në tërren, Basha tha se, pandemia ka marrë përmasa të frikshme dhe vendi rrezikon të shkoj drejt katastrofës.

Përballë kësaj situate ai paraqiti një paketë me propozime konkrete për rivendosjen nën kontroll të pandemisë që ka dalë jashtë kontrolli nga mos menaxhimi i situatës nga qeveria.