Arti dhe kultura nuk mund të ndalojnë! Qeveria asnjë strategji për të ndihmuar artistët

Nga Taulanda JUPI

Arti na jep identitet, na ushqen shpirtin e mendjen dhe sigurisht na bën të reflektojmë, të reagojmë.

Sot një artist në vend të notave në pentagram shkroi:

“Personalisht ndihem tepër pesimist më tepër prej indiferencës sesa prej gropës që thellohet çdo ditë”

Askush nuk e kupton sa shumë rëndon kjo situatë në shpirtin e një artisti derisa në vend të një kënge,

Elton Deda na drejtohet me fjalë.

Ashtu si në fusha të tjera edhe në art, qeveria e në këtë rast Ministria e Kulturës nuk pati, madje ende nuk ka një strategji për të ndihmuar artistët e profileve të ndryshëm. Ka shumë artistë të lirë, pra që jetojnë me artin e tyre dhe pavarësisht se nuk marrin një rrogë paguajnë taksa dhe detyrime për çdo qindarkë që përfitojnë nga projektet e financuara nga entet shtetërore apo private.

Asnjë ndihmë apo mbështetje financiare për këtë kategori artistësh kryesisht të arteve skenike por jo vetëm.

Sot më shumë se kurrë duhet të kujdesemi që mekanizma të rinj të propozohen për të gjeneruar mënyra të reja të aksesimit në art e kulturë, kudo dhe për këdo.

A mund të imagjinoni botën pa art dhe pa artistë?! A ju kujtohen ditët e vështira të izolimit ? A mund ti imagjinoni pa muzikën apo këngët që keni dëgjuar, pa romanet, tregimet apo poezitë që keni lexuar, pa pikturat apo pa filmat që keni parë?

Ka shumë halle ky vend, por ku ka vullnet gjenden rrugët për më shumë strategji mbështetëse, zhvilluese dhe promovuese për artin dhe kulturën, për më shumë vëmendje për artistët që kanë zgjedhur të jetojnë në Shqipëri, një vend jo aq i thjeshtë për krijuar art.