Antiopozitarizmi, fenomeni më i neveritshëm që kemi trashëguar nga komunizmi

Nga Red VARAKU
 
Një nga gjërat më të shëmtuara dhe të neveritshme që kemi trashëguar nga regjimi komunist në kulturën tonë politike është antiopozitarizmi ose përpjekja për të asgjësuar kundërshtarin politik.
 
Të gjithë e dimë që gjatë regjimit ky fenomen prodhoi vrasjen, persekutimin dhe internimin e mijëra burrave, grave dhe fëmijëve.
 
Për të realizuar sulmin ndaj kundërshtarëve politikë regjimi përdorte mekanizmin e luftës së klasave si dhe kishte ngritur në këmbë një aparat shumë të sofistikuar të shërbimeve të fshehta.
 
Ndërsa, për të shpëlarë trutë e qytetarëve dhe justifikuar krimet, regjimi kishte ngritur dhe përdorte një armatë të tërë intelektualësh, shkrimtarësh, artistësh, komedianësh.
 
Përmes armës më të fortë të shpëlarjes së trurit kinostudios “Shqipëria e Re” dhe radiotelevizionit kombëtar shqiptar, kjo armatë , nuk ndaloi së argumentuari “të drejtën” e tyre për të bërë genocid mbi ata qytetarë shqiptarë që nuk e aprovonin qëndrimin e tyre politik.
 
Ndërkohë, opozitën e vërtetë regjimi e kishte zevendesuar me një opozitë fasadë që asokohe njiheshin si Bashkimet Profesionale, Fronti Demokratik, Organizata e Gruas dhe Rinisë Komuniste etj.
 
Kështu pra antiopozitarizmi ishte kthyer në kulturën kryesore që mbizotëronte në Shqipëri për 50 vjet dhe në shtyllën kryesore të propagandës që mbante në këmbë regjimin më të egër mbase në botë.
 
Ndaj, jo rastësisht dhe Rama si trashëgimtar i denjë i atij regjimi, që e njeh mirë fuqinë e antiopozitarizmit, e riktheu sërish atë si taktikë politike, që në thelb synonte asgjësimin e opozitës dhe jo rastësisht më vonë ajo u kthye në një projekt politik shtetëror të mirëfilltë.
Nën kujdesin personal të tij, prej tetë vjetësh opozita dhe kryetari i saj po sulmohet barbarisht nga mediet pranë qeverisë, ndërsa po krijohen parti të reja, që me privilegjet e një partie opozitare të emëruar nga pushteti, synojnë të helmojnë frymën opozitare për të demoralizuar kështu mbështetësit e opozitës.
 
Gjithashtu, po me frymëzim të Ramës, në përpjekjen për demoralizimin e opozitës mediat anti-opozitare të sponsorizuara nga kryeministri po luajnë një rol të pazëvendêsueshëm.
 
Nëpërmjet dy tezave të tij kryesore të cilat e paraqesin opozitën si të pafuqishme dhe e barazvlerësojnë atë me qeverinë, ajo ia pati dalë të ndjellë dëshpërim dhe të demoralizojë jo pak kampin opozitar.
 
Në fakt opozita e ka vuajtur jo pak indiferencën që mbjell në shoqëri antiopozitarizmi dhe këtë e has në shumë biseda me miq, të cilët kanë rënë prè e këtyre taktikave.
 
Përdorimi pabesisht i ish-figurave të saj publike si qen sulmi kundër saj, ia ka dalë ta mbajë të mpirë opinionin publik dhe të shfokusojë jo pak vëmendjen e qytetarëve.
Në këtë kuptim, krijimi i partive të reja të sponsorizuara nga pushteti, përdorimi si qen sulmi i ish-zyrtarëve të PD kundër vetë PD, përdorimi i mediave si hanxhar kundër opozitës është një ogur shumë i keq për shoqërinë shqiptare.
 
Kjo dëshmon një të vërtetë shumë të hidhur, që dëmi që ka shkaktuar regjimi në strukturën tonë shoqërore dhe politike është i parikuperueshëm. Ringjallja e këtij fenomeni dëshmon që ne, jo vetëm nuk e kemi fituar betejën kundër monizmit politik, por jemi seriozisht të kërcënuar dhe rrezikuar me rikthimin e tij sërish si sistem.
 
Ndaj, nuk duhet të ketë asnjë kompleks në denoncimin, përballjen dhe demontimin e këtij fenomeni si dhe në trajtimin me neveri dhe pa asnjë mirëkuptim të këtyre individëve.
 
Kjo qasje, jo vetëm që ndihmon në ndërgjegjësimin e shoqërisë për dëmet që sjell ky fenomen në strukturën tonë shoqërore, por është edhe një shërbim i jashtëzakonshëm ndaj demokracisë dhe vlerave perëndimore ku ne duam të aderojmë.