Alarm për bombë në Rinas! Testimi i Policisë krijon panik tek pasagjerët

Një testim i Policisë së Shtetit mbi sistemin e sigurisë në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit ka shkaktuar panik te stafi dhe pasagjerët.

Fillimisht u raportua për alarm për bombë, por më pas u mësua se ishte thjesht një testim i Aviacionit Civil.

Ngjarja shkaktoi panik te pasagjerët dhe stafi i aeroportit, pasi këta të fundit nuk kanë qenë në dijeni mbi testimin në fjalë.

Testime të tilla bëhen për të parë se si reagon sistemi i sigurisë në rast ngjarjesh të mundshme kriminale.

Njoftimi i Aeroportit të Rinasit (TIA)

Informacion për mediat e publikun

Një test i fshehur i Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar në bashkëpunim me Policinë e Komisariatit Rinas, brenda ndërtesës së aeroportit, “i identifikuar si alarm për bombë” ka bërë që në orën 11.29 të ditës së sotme, datë 30 Shtator 2020, të bëhet evakuimi i të gjithë pasagjerëve dhe punonjësve të aeroportit, pasi u vunë në veprim procedurat e Planit të Emergjences për raste të tilla.

Të gjithë pasagjerët dhe punonjësit e aeroportit kanë rihyrë në terminal, pas njoftimit të policisë së Komisariatit Rinas se ky “alarm” ishte nje test i fshehtë.

Njoftojmë pasagjerët dhe familjarët e tyre se operimi i aeroportit po vazhdon normalisht dhe nuk ka vonesa në fluturimet që janë program.

Ju falenderojmë shumë për mirëkuptimin tuaj.

Tirana International Airport