Kryeprokurorit i del gjumi: Tani do hetojmë pastrimin e parave dhe evazionin fiskal

Evazioni i lartë fiskal dhe pastrimi i parave janë ndër shqetësimet kryesore të Prokurorit të Përgjithshëm, z. Olsian Çela.

Në një intervistë për Euronews Albania, z.Çela tha se “unë besoj se ka mjaft punë për të bërë dhe të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se situata që lidhet me evazionin fiskal në Shqipëri apo me sasinë e parave që vijnë nga aktivitetet kriminale është shqetësuese”.

Ai paralajmëroi se lufta ndaj pastrimit të parave dhe krimit financiar do të intensifikohet në muajt në vijim. “Sot janë krijuar në 7 prokuroritë kryesore të vendit seksionet të cilat do të hetojnë, në mënyrë specifike, krimet financiare, pastrimin e parave dhe asetet kriminale. Kjo do të thotë që një pjesë e rëndësishme e luftës ndaj krimit do të bazohet në rezultatet e këtyre prokurorive.

Nëpërmjet marrëveshjes që kemi arritur me Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Financave, ne mendojmë se u kemi dhënë instrumentet e duhura prokurorive të japin rezultate në këtë drejtim. Kjo është ajo çfarë mund të bëjë Prokurori i Përgjithshëm. Pra është në dorë të tyre tashmë, për të dhënë rezultate. Është siguruar mbështetja e policisë, është siguruar mbështetja e Ministrisë së Financave e Drejtorisë së Tatimeve Doganave e agjencive tjera që të koordinojnë punën e të japin rezultate konkrete, që mund të jenë pjesë e punës më pas edhe të prokurorisë së Posaçme,” tha kryeprokurori.

Ai shtoi se një element i rëndësishëm në luftën ndaj krimit të organizuar do të jetë dhe pavarësia. “Sigurimi i elementit të pavarësisë është parë si garanci e suksesit të reformës dhe tërësia e udhëzimeve që ne kemi nxjerrë, tenton të përforcojë këtë pavarësi, ta garantojë atë ndaj çdo ndërhyrjeje të jashtme apo të brendshme, pra qoftë brenda institucionit nga ana e drejtuesve në formë hierarkike apo edhe nga ndikime të caktuara politike, nga bota e biznesit apo nga krimi”.

Çela nuk e mohoi që ka pasur ndërhyrje, por shtoi se “se qasja që Prokurori i Përgjithshëm ka në raport me ligjin dhe Kushtetutën duhet të jetë e tillë, që askush të mos tentojë të ndërhyjë në punët e një organi të pavarur. Dhe këtë qasje të cilën unë mendoj se e kam pasur, besoj kjo ka qenë edhe një ndër arsyet kryesore pse nuk ka ndodhur ajo që ju përmendet (ndërhyrjet). Por ajo që dua të realizoj përmes asaj çka është brenda mundësive të mia ligjore, është që kjo të mos ndodhë as në nivelet më të ulëta, as në nivelin e drejtuesve të Prokurorisë dhe as në nivelin e prokurorëve që hetojnë çështjet.

Ai shtoi se “ne duam të sigurojmë transparencë mes drejtuesve dhe prokurorëve, me qëllim që t’u mundësojmë drejtuesve të ruajnë kohezionin brenda zyrave, mënyrën sesi ato funksionojnë, por ndërkohë t’u japim mundësi prokurorëve të jenë të lirë, gjithmonë duke zbatuar ligjin dhe duke pasur përgjegjshmërinë e duhur për të arritur rezultate dhe suksese në hetim. Ajo që mund të bëj si Prokuror i Përgjithshëm në këtë drejtim është të marr të gjitha masat e mundshme që të mos kemi raste të ndërhyrjes së politikës apo të elementëve të tjerë të biznesit apo elementë të tjerë të jashtëm në procesin e hetimit, në procesin e emërimit të drejtuesve të prokurorisë, apo transferimit të prokurorëve.

N.q.s unë do të arrij të konstatoj se do të ketë ndërhyrje të tilla, patjetër që do të marr të gjitha masat e nevojshme, aq sa më lejon ligji për të bërë që çdo prokuror që heton çdo prokuror linje në çdo prokurori të ndihet drejtues prokurorie të ndihet madje edhe Prokuror i Përgjithshëm. Vetëm kështu ne mund të arrijmë të japim përmbajtje reformës e cila në fakt kërkon sakrifica”.

Reforma në drejtësi është parë gjithnjë si një parakusht për nxitjen e investimeve të huaja në vend dhe është kërkuar me forcë nga ambasadat në Shqipëri, si dhe nga sipërmarrësit vendas e të huaj. Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) në raportin e tij të fundit për klimën e investimeve në Shqipëri theksonte se investitorët përmendin korrupsionin, veçanërisht në gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimin publik dhe zbatimin e dobët të kontratave, si dhe praktikat informale, si problemet e vazhdueshme në Shqipëri.