EULEX arreston kreun e veteranëve të UÇK

Kreu i OVL-UÇK’së, Hysni Gucati është arrestuar nga EULEX. Kështu ka deklaruar për Gazetën Express nënkryetari i veteranëve, Nasim Haradinaj.

Ai ka bërë të ditur se Gucati do të dërgohet sot për në Hagë, ndërsa momentalisht është ende në zyrat e veteranëve.

Kjo ishte edhe arsyeja e kryerjes së bastisjes së sotme të EULEX’it.

Paraditën e sotme, policë të shumtë të Eulexit e kanë bastisur objektin ku gjenden zyrat e Organizatës së Veteranëve të UÇK’së.

Në një video, shihen policët nga momenti kur hynë në zyrat e organizatës së veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Akoma nuk dihet arsyeja e bastisjet, por Eulex dje ka kryer arrestimin e parë, me kërkesë të Tribunalit Special.

Gazeta Express ka raportuar sot se do të vazhdojnë arrestimet e të akuzuarve për krime të luftës.