Sistemi shëndetësor/ Buletinet qeveritare lajmërojnë shkëlqim e modernizim, por ne lutemi:”Do Zoti s’na çon atje”!

Nga Albert AVDULI

Disa rreshta jo aq përciptas për sistemin mjekësor.

Sa do shkruaj më poshtë, janë përjetime të sjella korrektësisht.

Opinionet dhe konstatimet e mia nuk kanë mllef, as propogandë.

Para një jave kam shprehur mirënjohje për mjekët dhe infermierët. I qëndroj atyre përshtypjeve, por…

Gjithë çfarë dëgjojmë për sistemin shëndetësor në Shqipëri, na duket si retorikë dhe larg nesh.

Buletinet qeveritare lajmërojnë shkëlqim e modernizim dhe ne mjaftohemi me shprehjen ogurmirë “Lum ne!”.

Përvojat e miqve përcjellin trishtim dhe ne lutemi:”Do Zoti s’na çon atje!”.

Deri sa fati në dërgon në ato pavione…

Ja kështu mbërrita dhe unë një mesnatë.

Infermiere dhe mjekë të urgjencës u përfshinë në pritje, diagnostikim, ekografi, analiza.

Teksa prisja përgjigje, shkova në banjot e urgjencës.

Hyauuu, për të vjellë … Të dal? Ku të shkoj tjetër. Nevoja fiziologjike nuk planifikohen, nuk bllokohen. Zhys këpucët në atë qelbësirë. Sifoni bllokuar, uji nuk ka, kutërbim vrasës. Kjo ndodhi në spitalin më të shquar të Republikës, Ushtaraku ose Universitar i Traumës.

Dal nga banja dhe vrapoj te vend parkimi i makinave. Në veturë kam lënë alkol.

Dezinfektohem dhe me një frymë rikthehem në sallëpritjen e infermjerisë.

Doktori me fletëanalizat në dorë më sqaron se leukocitet janë kaq, zgjidhja operacioni, rrisqet etjer.

Meqë kisha një përvojë rraskapitëse me operacion identik e pyes për kontaminimin e sallës dhe sterilizimin e paisjeve.

Të jesh i qetë, më siguron ai, gjithçka e kryen firma sipërmarrëse.

Operacioni mbaron, nata dhe dita e parë duken qetë. Pastaj mbërrin temperatura e lartë për disa ditë. Vuajtja e pacientit, ankthi prindëror, pikëpyetjet e mjekut, kontot bankare te konçesionari.

Çfarë po ndodhte? Ahh, veç qelbëzohej plaga. Mjekët kanë etikë dhe sjellin shembuj se ka ndodhur, ndodh, përsëri ka gjasa etj.

Unë i bie shkurt. U infektuam nga mjetet dhe paisjet e pa pastruara. Ndoshta ky përfundim është prej njeriu profan, por duke vërejtur të gjithën, këtë mund të pohoj. Llogaritë financiare s’kam fuqi t’jua bllokoj.

Në pavion më shumë nga një javë. Periudha (që mos të quhet fantazi) 2 deri më dt 10 shtator.

Janë dhjetra dëshmitarë në atë periudhë dhe në këto që shkruaj.

Në mesnatë ndërpritej uji deri në orë 06 apo 07 në mëngjes. Kirurgji…

Mendoni se dhomat ishin me nga tre pacientë, secili prej tyre kish një kujdestar se nga operacioni kishin dalë të afërmit.

Një banjë pa ujë dhe familjarët që ngjisnin bidona 10 litrosh me uji për banjot.
Koha për higjienë maximale, koha e Covid-it.

Infermieret e përkushtuara, por të pafuqishme, mjekët roje me shqetësim në sy.
Po mjeku, mjeku kirurg, ortoped, nefrollog, kardiolog, reanimator?

Ata vraponin nga njeri pacient, te tjetri. Dukeshin dhe ishin mbartësit e shpresës dhe besimit. Në ato korridore gëlonte jeta, por si hije vërtitej dhe vdekja. Bashkë ecnin në simbiozën luftarake të përhershme në emrin e të sëmurit që çelej sa shihte bluzën e bardhë mbi krye. Mjekët tanë rrallë e humbin atë betejë, e sfidojnë fatalen.

A mjafton talenti dhe përkushtimi i tyre?

Nuk di, nuk besoj.

Mjeku, pa dashje bëhet mbartës i tipareve të qeverisë.

Kur ai vëren se investimi që ka bërë për shkollimin e tij, vlen hiç gjë krahasuar me ata që marin lekët e shëndetësisë, atëherë bie çdo betim dhe aspekt human.

Nuk të kërkon lekë, as i kalon atij aspekti, por ai ndihet i zënë në pusi midis humanizmit dhe formimit të tij në një anë dhe nevojave familjare që ka si kushdo tjetër. Në kudhrën e realitetit vihet betimi i Hipokratit dhe shembulli zhvatës i parave të taksapaguesve bashkëkombas.

Alternativa tjetër janë spitalet e luxit, privatët.

Oh, ata mund të jenë në rregull me ligjin, por shndërruar në një vatër zhvatëse.

Janë ndërtuar në Shqipëri, por për të ardhura që do ndruhej dhe qytetari zviceran, gjerman, suedez.

Spitalet private, kanë çmime, të cilat unë dhe 80% e familjeve shqiptare nuk mund t’ju afrohemi.

Ato janë në funxion të asaj pakice, që për çdo rast shkojnë edhe në klinika evropiane.
Unë jam një zë, secili nga ne e ka një përvojë në ato koridore, të gjithë mund të lëshojmë britmën alarmuese:

Vlerësoni dhe paguani stafet mjekësore.

Ktheni lekët që jua jepni miqve për konçesione dhe qoka.

Ato fonde të përdoren për paga, paisje, aparatura, infrastrukurë mjekësore!

Bëjini spitalet publike humane!

Kaq duam…

Spitalet private dhe klinikat e luxit i gëzofshi ju udhëheqës të shtrenjtë!

Shtojcë thelbësore: Ajo që po mendoni. A ju lashë gjë? Po, mor po! Nuk më pa kush nga duart jo, as më la të nënkuptuar. Me zor ju dhurova një shishe verë dhe infermieret ta blinin një shishe uji. Ju lash një të 10-tën e një nate hoteleri në spitalet private. Hallall ta kenë se qëndruan tre orë mbi trupin e tim biri dhe qindra orë mbi ballin e tij të zhuritur. Ju lash diçka që ata mos të ikin në Gjermani e Zvicër, por pamjaftueshëm për të penguar arratinë e tyre.

Po ndodh, ata po ikin për çdo javë, për çdo ditë.

Mos u habisni, kur me përparëse të bardhë do më gjeni mua në ato salla.

Qeveria mund t’i mbaj ata kirurgë duarartë këtu, qeveria mund t’më pengojë mua që mos t’ju mashtrojë me mrekullitë e pandodhura.

Gjithësesi, diçka e bukur ndodhte në atë territor me emër ushtarak, disiplinë dhe uniformë civile,dhe narkozik, brengosës dhe buzëqeshjekthyer.

Hëna që sodiste shplodhëse nga lart dhe një autobot që lante rrugicat në agun e ditës së re.

Fasada shkëlqyese që propoganda zyrtare aq shumë thekson e trumbeton.

Paçi fat miq dhe larg spitaleve tona mjerane.
Kaq!

2 33

1 40