Formulari i deklarimit për shëndetin nga nxënësit/ Avokati: Absurditet dhe gafë ligjore! Ja qëllimi që fshihet

Të gjithë fëmijët dhe prindërit do të duhet të plotësojnë çdo ditë një formular deklarimi për shëndetin në shkollë. Ky është rregulli i ri i vendosur nga Ministria e Arsimit, sipas saj, për të kontrolluar përhapjen e koronavirusit në shkolla. Në formular, fëmija dhe prindi deklarojnë nëse ndonjë anëtar i familjes së tyre është i infektuar me Covid-19.

Avokati Ledio Braho e cilëson nismën “një gafë ligjore siç është mungesa e zotësisë për të vepruar te të miturit”.

“Ajo që më shqetëson më shumë, shton ai, ka të bëjë me faktin se cili është qëllimi i këtij deklarimi si për nxënësin ashtu edhe për prindërit e tij edhe po të supozojmë se të dy deklaruesit kanë zotësi për të vepruar”.

“Cila do të ishte pasoja ligjore e një deklarimi që nuk përputhet me realitetin nëse nxënësi pas 5 ditësh do të figuronte pozitiv me Covid?! Do ta padiste shteti apo nxënësit e tjerë për shpërblim dëmi meqenëse infektoi disa prej tyre apo do të procedohej penalisht?!“, shtron pyetjet avokati në një reagim në rrjetet sociale.

Për aq sa e njohim deri tani ketë virus, vijon me arsyetimin, është e pamundur që një person ta dijë në momentin e një deklarimi të tillë nëse është i infektuar apo jo, kështu që çdo pasoje ligjore që pretendohet nga një deklarim i tille është absurditet.

“Nëse Ministria e Arsimit inicion të tilla procedura krejtësisht antiligjore, ka vetëm një qëllim keqdashës – në rast se ndodh që një nxënës të rezultojë pozitiv në një moment të dytë, atëherë të fillojë një ‘luftë’ dhe ballafaqim mes prindërve të nxënësve të tjerë me prindërit e nxënësit të infektuar çka e bën krejtësisht kriminale ketë iniciative…”, përfundon ai.

11 1