Reagimi i fortë i Gjeneral Ahmetajt ndaj Ramës për detin: Kryeministri në ikje, edhe e keqdështuar edhe i “gjithëditur”!

Statusi në FB, mbas fjalimit “historik” të “UdhëheqësitSuprem” mbrëmë në OPINION  

“Të nderuar miq, bashkëAtdhetarë 🇦🇱 Në respekt të qindra rekomandimeve, po ndaj oponencën: “12 pikëpyetje kritike për sovranitetin me 12 milje detare”, ku jam përpjekur të ndricoj impaktet mbi RSH të ligjit të miratuar nga qeveria greke.

Qeveria Greke është SOVRANE të miratojë ligjin për zgjerimin, POR të drejtën sovrane me 12 milje, nuk mundet pa #marrëveshje, ta ushtrojë në hapësirën detare me RSH!

Edhe Enver Hoxha ishte “SOVRAN dhe paranojak” kur vetëvendosi zgjerimin 15 milje (76) por anijet e vendeve që ndajmë kufij detare, NATO-s & SHBA, nuk e duartrokitën, se njohën kurrë & gajaseshin me te drejtën sovrane (15 milje) të RSH!

Kështu, qeveria-Rama në ikje, të mos vijojë të keqpërdor si kauzë patriotiko-nacionaliste këtë çështje, por të përmbushi detyrimet shtetërore duke i prezantuar qeverisë Greke rezervat zyrtare për zgjerimin me 12 milje deri ne finalizimin e marrëveshjes ndërmjet dy vendeve tona!

Ndërsa, institucionet kanë përgjegjësi kushtetuese të informojnë qytetarët mbi gjendjen e grupit, produktin (nëse ka), problematikat si dhe pritshmërinë e negociatave mes dy vendeve.

Për “patriotët me qillota & dylbi ushtarake”, theksoj se pas anëtaresimit në NATO, nuk ka asnjë pretendim territorial (border disputes) mes 2 vendeve tona, dhe kështu thirrja nuk është as “t’u biem Ne, as se do na bjerë greku, e të tilla donkishotizma .”.!

Në të kundërt jam besimplotë se dy vendet që ndajnë vlera të përbashkëta, do të gjejnë zgjidhje euroatlantike për ndarjen e ZEE në interes të mirëqënies së 2 popujve.

Në përmbledhje, shpresoj që sa b/l dhe kjo shtesë qartësuese të kontribuojnë për të “mjekuar delirantet” dhe pragmatizuar qëndrimet zyrtare rreth kësaj çështjeje me peshë per sigurinë mbarëkombëtare.

Kaq e #thjeshtë është, edhe për të #paditurit dhe për të #GJITHËDITURIN, edhe për delikuentët !

Ju #faleminderit 🙏Bashkëlidhur referenca me këtë subjekt:

https://www.rd.al/2020/09/12-pikepyetje-kritike-per-sovranitetin-me-12-milje-detare/

12 pikëpyetje kritike për sovranitetin me 12 milje detare!

Gjeneral ® Piro AHMETAJ

Pas “heshtjes cinike” të qeverisë mbi riciklimin e krizës në Mesdhe, mungesës së frikshme të transparencës për ecurinë e negociatave për marrëveshjen e delimitimit të ujrave detare me Greqinë, papritur “u ndezën flakët patriotiko-prapagandistike” të qeverisë Rama pro miratimin e ligjit nga parlamenti Grek për zgjerimin e ujrave territorial në 12 milje detare.

Kryeministri dhe 2 anëtarë të grupit zyrtar të negocimit, Zv/MEPJ, z. Dervishi si dhe ushtaraku i shumë keqpërdorur Meçollari, kanë rindezur një debat të zjarrtë, ku janë përfshirë politikanë, diplomatë, doktorë, hartografë, ekspertë të detit, tokës dhe hënës, etj.

Në vijim të disa analizave strategjike që kam publikuar për krizën në rajon, po përpiqem që nëpërmjet 12 pikëpyetjeve të kontribuoj për të “qetësuar arsyet racionale” dhe pragmatizuar qëndrimet zyrtare rreth kësaj çështje me peshë kombëtare dhe interesat gjeopolitik të RSH.

Pikëpyetja 1: A është qëndrimi i Kryeministrit dhe “2 negociatorëve”, për të justifikuar dështimin e procesit, apo qëndrim për të përgatitur opinionin publik mbi vendimmarrjen e pritshme ?!

Sigurisht, zgjerimi i ujrave territoriale të Greqisë, ka qenë për 38 vjet (nga 1982) dhe është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare të detit, por konfirmoj se aplikimi i ligjit (12 milje) bëhet vetëm me marrëveshje me shtetet e interesuara, në këtë rast vetëm pas marrëveshjes me RSH.

Këtë element duket se e “harrojnë” Kryeministri dhe “histeria e 2 anëtarëve të komisionit”, duke deklaruar që ligji Grek nuk ka efekte mbi detin shqiptar dhe mbi marrëveshjen që po negociohet.

Ndërsa harta ilustruese (bashkëngjitur) publikuar në media nga anëtari delikuent i komisionit Mecollari, tregon se në veri të Ishullit Othonoi, Greqia i ka shtrirë ujrat territoriale në 12 milje !!

Pra, shteti që “duartroket”, kur duhet të kundërshtojë, ka si objektiv të bombardojë opinionin publik me idenë e ligjshmërisë së ligjit Grek, me qëllim që të justifikojë dështimin në negociata.

Pikëpyetja 2: Cfarë efektesh konkretisht ka marrëveshja ZEE midis Greqisë dhe Italisë ?!

Për ta qartësuar, e përsëris se marrëveshja midis Greqisë dhe Italisë ka efekt të drejtpërdrejtë për Shqipërinë, pasi në pikën veriore të saj cënon interesat e delimitimit të ujrave të Shqipërisë me Greqinë dhe Italinë (pika treshe e cila duhet të përcaktohet me marrëveshje nga të tre vendet).

Prandaj e përsëris, se ishte dhe mbetet domosdoshmëri që MEPJ të kërkojë zyrtarisht nga të dy vendet (Greqia dhe Italia) informacione shteruese mbi këtë marrëveshje.

Pikëpyetja 3: Pse është përgjegjës Kryeministri per deklaren e zgjerimit me 12 milje ?!

Sigurisht qoftë padija, qoftë deliranca, apo qoftë gallatat, qofte propaganda nuk janë justifikime për dështimin e qeverisë Rama në procesin e negociatave me Greqinë.

E thënë më thjeshtë, kjo vendimmarrje “sovrane e Greqise” i cënon interesat e RSH, pasi kemi ende pretendimet reciproke të pazgjidhura për delimitimin e hapësires detare mes dy vendeve.

Më keq akoma, me aprovimin e KM të zgjerimit të ujrave territoriale në 12 milje dhe siç ilustohet në hartë nga “specialisti i detit” në komisionin e negocimit, ju është dhënë efekt i plotë (12 milje) 2 ishujve, gjë e cila bie në kundërshtim edhe me vendimin e GJK !!

Pikepyetja 4: Përse gjykoj se Kryeministri dhe dy negiciatorët janë të papërgjegjshëm ?

Besoj opinioni publik, e kujton kur Gjykata Kushtetuese (GJK) rrëzoi marrëveshjen e vitit 2009, me argumentin se “kishim humbur” disa qindra km2 sipërfaqe detare, e cila në pjesën më të madhe, vinte në trekëndëshin e krijuar në veri të ishujve Othonoi dhe Erikusa.

Ky trekëndësh krijohej në zonën në afërsi të ujrave territoriale të Greqisë (atëherë 6 milje) deri në vijën ndarëse me ujrat tona në distancën 12 milje detare.

Por edhe sot e gjithë ditën, themelore në këtë “mosmarrëveshje”, mbetet fakti i dhënies së fuqisë së plotë të ishujve Othonoi dhe Erikusa në ndarjen e zonave detare.

Pikpyetja 5: Cfarë ndodh në rastin e shtrirjes me 12 milje të ujrave territorialë të Greqisë ?

Harku i ujrave tërritorialë të ishullit Othonoi do të bashkohet në maksimumin 12 milje me pikën e sipërme të trekëndëshit (pika 82.2 Vendimi i GJK) dhe si rrjedhim do të vendosë në sovranitet të plotë të Greqisë pothuajse 60% të trekëndëshit të përmendur si “të humbur” nga viti 2009.

Pra zoti Kryeministër, me qëndrimi tuaj publik, qeverisë Greke i “dhuruat në tavolinën”, e negociatave minimizimin e efekteve të vendimit të GJK të RSH dhe të ulni mundësinë e fitimit të saj në gjykaten ndërkombëtare nëse çështja do duhet të shkojë deri aty!

E thënë qartë, kjo ndodh vetëm sepse Ju me paaftësinë tuaj u shprehët pro zgjerimit me 12 milje.

Prandaj duhet urgjentisht një notë zyrtare, e cila kundërshton zgjerimin e ujrave territoriale me 12 milje detare në veri të ishujve Othonoi dhe Erikusa deri në arritjen e marrëveshjes.

Pikpyetja nr 6: Pse deklaratat e Kryeministrit dhe 2 zyrtarëve për aprovimin e ligjit për zgjerimin në 12 milje jane në kundërshtim me vendimin e Gykatës Kushtetuese (GJK) ?

E duartrokitur nga KM i RSH, qeveria Greke arrin te zvogëloje zonën e diskutueshme për negocim në veri të 2 ishujve dhe ndërkohë rrit maksimalisht sovranitetin shtetëror Grek.

Pika 87 e Vendimit të GJK, në fjalinë e fundit përmend që delimitimi i Detit Territorial duhet të marrë në konsideratë “….prania ose jo e ishujve ….” po ashtu dhe pika 92 e saj: “…edhe në delimitimin e Detit territorial kërkohet zbatimi i parimit të Ekitesë”?!

Zoti Kryeministër, me “duartrokitjet delirante” të ligjit të 12 miljeve Ju i dhatë fuqi kontinentale 2 ishujve Grek duke orientuar negociatat drejt “ndarjes së barabartë” (në pothuaj të 60% të rajonit verior) dhe jo ndarjes së drejtë të cilën kërkon vendimi i GJK në pikën 89, 92 dhe 107.

Edhe më thjesht, për të gjithë të “gjithëditurit”, me këto deklarate Kryeministri, ndryshoni natyrën e negocimit nga të “sovranitetit” në atë mbi “drejtat sovrane”, çka i vështirëson negociatat!

Pikpyetja e 7: për “ishullin” Barketa ?!
Diskutimet mediatike përqëndrohen me te drejtë në efektet e shkëmbit Barketa.

Bile nëse i referohemi faktit që SHBA me Meksikën kanë rreth100 vjet që negociojnë për rreth 2 km2 hapësirë ujore”, e bëjnë edhe më kritike vëmendjen në çdo detaj të procesit.

Por, ne rastin konkret, orientimin e vëmendjes te shkëmbi Barketa është i qëllimshëm, për të shmangur vëmendjen kryesore nga rajoni verior ku në fakt janë dhe zonat të cilat synohet të bëhen kërkime për hidrokarbure dhe ka interesa të mëdha ekonomike.

Përsa më sipër po shtroj edhe 5 pikëpyetje përmbledhëse shtesë:

8. A zvogëlohet hapsira e negocimit për ZEE dhe Shelfit Kontinental nga aplikimi i ligjit Grek për zgjerimin e ujrave territoriale në 12 milje ?!

9. Duke i rritur sovranitetin e ishujve Erikuza dhe Othonoi a nuk mendoni se negociatat do të vështirësohen dhe janë në interes të Greqisë pasi tashmë do të negociohet mbi “sovranitet” dhe jo mbi të “drejta sovrane” siç ishte përpara miratimit të ligjit Grek ?!

10. Pse, me dijeni dhe aprovim te kujt (?), 2 anëtarë të grupit të negocimit te sipërpermendur po vijojnë fushatën spjeguese, në fakt pështjelluese në media ?!

11. A nuk mendoni se nga ana shtetërore dhe diplomatike nuk duhen të shprehen individualisht pasi zvogëlon dhe dëmton argumentat negociuese të grupit tonë ?!

12. Së fundmi, përmbushni detyrimet kushtetuese si Kryeministër dhe Ministër i MPEJ, mos beni llogje por trasparencë dhe informoni shqiptarët, kush është produkti zyrtar dhe nëse vijon të ekzistojë grupi zyrtar i negocimit (?) i cili kishte dhe ka diferencë ulëritese ekspertize krahasuar me ekipin elitar të palës Greke (?), kur disa anetarë janë larguar dhe për me keq, kur integriteti zyrtar i ekspertit kryesor (yllit) të këtij grupi (Meçollari), i vetë-diskredituar për preçedentët me shërbimet sekrete të vendeve jo-miqësore me interesat kombëtare, i sapo-shkarkuar nga drejtimi (pas rrënimit në 7 vite) të Forcave Detare, si dhe i është refuzuar çertifiklata e sigurisë nga institucionet e RSH ?!?

Në përmbledhje, miratimi i ligjit Grek për zgjerimin e ujrave territoriale në 12 milje, në veri të ishuljve Erikuza & Othonoi ka që çke me të (!) efekte dhe peshë kritike në marrëveshjen me RSH.

Me këtë ligj dhe me duartokitjen e tij nga qeveria Shqiptare, shteti Grek forcoi pozitat negociuese duke “barazuar efektin e ishujve me tokën kontinentale”, si dhe duke zvogëluar dukshëm hapësirën e zonave ZEE dhe Shelfin Kontinental për negocim me Shqipërinë.

Qëndrimi i Kryeministrit shqiptar, duke “aprovuar me duartokitje” ligjin grek dhe më posacërisht duke mos kundërshtuar zgjerimin e ujrave në 12 milje në veri të ishullit Othonoi dhe Erikusa, kërcenon të “imponojë” rezultate që do të jenë në kundërshtim me vendimin e GJK të RSH.

Gjeneral ® Piro AHMETAJ,
Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD,
Ish-Këshilltar Ushtarak i President të Republikës,
Ish-Zv/ShShPFA dhe
Ish-Perfaqesues i RSH në Komandën Supreme të NATO-s