Dështimi i suksesshëm i vitit shkollor 2020-2021

Nga Qemal ÇEJKU

Do të nisë apo jo viti shkollor në 14 Shtator 2020 është debati më i madh i këtyre ditëve. MASR ditët e fundit ka publikuar një udhëzim rreth fillimit te vitit shkollor 2020-2021, por problematikat e hasura në këtë udhëzim janë jo të pakta. Duke qenë se MASR është prej kohësh me pushime ka krijuar një konfuzion të madh kryesisht te mësuesit.

Në udhëzim thuhet që orët do të jenë 25 ose 30 minuta, por nuk sqarohet nëse do të vazhdojë me sistemin tre lëndë në gjashtë orë. Nëse do të vazhdohet me të njëjtin sistem atëherë mësuesit ngarkohen me dyfishin e ngarkesës ose sistemi do të ketë nevojë për mësues shtesë.

Në rast se ngarkesën do ta mbulojnë mësuesit a do ju paguhen orët shtesë dhe mbi çfarë kriteresh? Në rast se do të rekrutohen mësues shtesë mbi çfarë kriteresh do të rekrutohen dhe si do të paguhen? Për të mos përmendur faktin që as është menduar për rritje rrogash për mësuesit edhe pse punojnë në kushte të vështira e do të punojnë në kushte akoma dhe më të vështira.

Në të dyja rastet nevojitet një buxhet shtesë të cilin MASR nuk e sqaron se sa është.
Në një nga pikat e udhëzimit thuhet që: drejtori i IA ka dorë të lirë për rregullimin e orarit. Edhe ne këtë pikë lihet një hapësirë e madhe për abuzim nga ana e drejtorit të shkollës. Duke marrë parasysh dhe faktin që shumica e drejtuesve të IA janë pazarxhinj dhe të paaftë për të organizuar dhe menaxhuar një situatë të tillë.

MASR në asnjë pikë nuk përmend se si do të veprohet nëse në ndonjë shkollë zbulohen raste pozitive me COVID-19.

MASR ka publikuar dhe planet mësimore të unifikuara me të cilat pretendohet të punohet gjatë pandemisë, por MASR nuk ka marrë parasysh faktin që shkollat punojnë me altertekst dhe temat mësimore nuk përputhen për të gjitha shkollat. Pa përmendur faktin që janë lëshuar për t’u shitur planet e mësuesve “ekspertë” të babëzitur e institucioneve trajnuese.

Ministrja e Arsimit pasi bëri plazh e vizitoi kanionin e Holtës del në një videokonferencë dhe ju jep përgjigje disa pyetjeve të “dërguara” në rrjetet sociale, por nuk tha se kush do i mbulojë shpenzimet e shtuara të prindërve tashmë në vështirësi ekonomike; për dezinfektantë, maskat apo dorezat që do të përdorin nxënësit gjatë orarit mësimor. Po për mësuesit kush i mbulon shpenzimet për dezinfektant, maska apo doreza që do të përdoren gjatë orarit mesimor? Se mos thoni që bashkitë respektive do i sjellin nëpër shkolla e do i “menaxhojnë” drejtorët se ju jap fjalën që do të përfundojnë në treg te zi.

Në asnjë rresht të udhëzimit apo të masave të përbashkëta; ministri-bashki-qendra shendetësore nuk ka asgje për dezinfektim e ambienteve të shkollës, vendosjen e dezinfektantëve në ambiente të ndryshme të shkollës, furnizimin me ujë 24 orë. Por kjo nuk mund të ndodhi pa një paketë financiare të dedikuar për secilën shkollë, por kujdes, menaxhimi jo nga drejtuesit e shkollave, që marrin dhe kontributet e prindërve që nuk arrijnë të sigurojnë bukën e gojës dhe i bëjnë ata, eskursione, dreka e darka, para dore e qoka për shefat e tyre!

Çmendurirat në këtë sistem të dështuar nuk kanë të sosur. Me një urdher të paprecedent ministria urdhëron që regjistrimet për në arsimin parauniversitar të bëhen vetëm deri më datë 15 korrik. Lind pyetja po me nxënësit që nuk kishin mundësi të regjistroheshin deri në datën e caktuar çfarë do të bëhet? Pa përmenduar faktin që ky urdhër i hap rrugën një abuzimi shumë të madh sepse regjistrimet do të bëhen dhe në shtator, por kundrejt një haraçi (një 5000-she) të vogël që i jepet drejtorit.

Sapo u mbyll java e parë e gjysëm fillimit të shkollës.

Të gjithë kemi parë radhë të gjata për të marrë librat falas dhe të plotësuar, njerëz që rrinë grumbull për të regjistruar fëmijët në shkollë e deri dhe kacafytje për të prënotuar një vënd në kopësht ose çerdhe. Masa për COVID-19 asgjëkundi. Në çdo institucion ka një neglizhencë totale ndaj masave COVID-19 kryesisht nga drejtuesit.
Zot ruaji shqiptarët nga shqiptarët!