Pas Teatrit, Veliaj do të ndjekë të njëjtën skemë edhe me Kampusin e ri të Universitetit të Tiranës dhe godinat e Arteve

Bashkia e Tiranës do të jetë autoriteti kontraktor që do të zhvillojë procedurat e prokurimit për disa objekte të arsimit. Ky autorizim i është dhënë nga qeveria, në një vendim të marrë në 29 korrik të këtij viti dhe që hyn në fuqi tashmë duke qenë se është publikuar në fletoren zyrtare. Kjo është sipërmarrja e fundit për Bashkinë e kryeqytetit të ngjashme me skemën që u ndoq më herët me Teatrin Kombëtar ku bashkisë ju kalua e drejta e zhvillimit me një vendim të veçante nga qeverisja qendrore tek ky institucion vendor.

Vendimi për zhvillimin

Në pikën një të vendimit thuhet se, bëhet përcaktimi i Bashkisë Tiranë, si autoritet kontraktor për të ndërmarrë e zhvilluar procedurat e prokurimit publik për projektet  “Ndërtim  i Kampusit të Ri të Universitetit të Tiranës”, “Ndërtim i godinave të Universitetit të Arteve të Tiranës” dhe “Ndërtim i Kampusit të Policisë së Shtetit, Policisë  Shkencore dhe Akademisë së Sigurisë”.

“Bashkia Tiranë  të  administrojë procedurat  e prokurimit publik për zhvillimin e projekteve, me objekt “Ndërtim i Kampusit të Ri të Universitetit të Tiranës”, “Ndërtim i godinave të Universitetit të Arteve të Tiranës” dhe “Ndërtim i Kampusit të Policisë së Shtetit, Policisë Shkencore dhe Akademisë së Sigurisë”.

Efektet  financiare për zhvillimin  e këtyre procedurave përballohen nga buxheti i shtetit. Ngarkohen Ministria  e Arsimit, Sportit  dhe Rinisë,Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Kulturës, Ministria e Brendshme dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare” thuhet në vendim.

Vendimi për Teatrin

Me heret  në një vendim të qeverisë te dates 8 maj 2020 saktësohej zona kadastrale ku përfshihet ky objekt si dhe të drejtat që ka bashkia për të zbatuar projektin e ri. Kështu në pikën 1 të vendimit bëhej “kalimin  në  pronësi  të  Bashkisë Tiranë,  të pasurisë  nr.1/241,  me emërtimin “Teatri Kombëtar”, në  zonën  kadastrale  8150,  Tiranë, me sipërfaqe totale 5 522.7 (pesë mijë e pesëqind e njëzet e dy pikë shtatë) m2, me adresë: rruga “S. Toptani”, Tiranë, me qëllim ndërtimin e një godine bashkëkohore dhe me standarde  të Teatrit  Kombëtar, në konsultim me të gjitha grupet e interesit, sipas hartës kadastrale që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij”.

Pika dy e vendimit nënvizonte se Bashkia e Tiranës nuk ka të drejtë që të ndryshojë destinacionin e pasurisë që i kalon në pronësi dhe as mund tua japë këtë të tretëve.

Së treti vendimi nënvizonte se pasuria e përcaktuar  në  pikën 1, të  këtijvendimi, i shtohet listës përfundimtare të pjesshme të pronave të paluajtshme publike shtetërore, miratuar  me vendimin  nr.219, datë 21.3.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pjesshme (pjesa e parë + pjesa e dytë) të  pronave të paluajtshme  publike  shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të njësisë administrative Tiranë, Bashkia Tiranë, të Qarkut të Tiranës”, të ndryshuar./MONITOR