160 shqiptarë në ditë humbën punën që prej fillimit të vitit, Tabaku publikon shifrat: 177 biznese mbyllen çdo ditë, Qeveria bën propagandë boshe

Nga Jorida TABAKU

Në mesin e pandemisë dhe “Ramavirusit”, që po shkatërron ekonominë, shqiptarët kanë dëgjuar por s’e kanë provuar ndikimin e Paketës së Ndihmës nga qeveria.

Boritë e propagandës buçasin fort, në përpjekje për të mbytur zërin e qytetarëve që po varfëron dhe bizneseve që po falimentojnë. Por është e pamundur të fshihet papunësia, varfëria dhe ulja e qepenave.

160 shqiptarë në ditë humbën punën që prej fillimit të vitit.

177 biznese mbyllen çdo ditë dhe këto janë vetëm shifrat zyrtare. Po të llogarisim dhe punonjësit e informalitetit, numri i familjeve shqiptare që nuk kanë mundësi të ushqejnë fëmijët e tyre është i frikshëm për një vend evropian.

Kësaj të vërtete të hidhur dhe të dhimbshme, qeveria shqiptare i është përgjigjur me pagesat e koncensioneve dhe PPP-ve, me amnisti fiskale të parave të krimit dhe me vjedhjen e çdo fondit të mundshëm për rindërtimin.

Ne ofruam planin tonë për të shmangur thellimin e krizës gjatë pandemisë për të rialokuar 120 mln euro, destinuar PPP-ve për 2020-ën, që t’iu shkonin shqiptarëve.

Propozuam heqjen e taksave për këtë vit krize. Kërkuam të mbështetej konsumi dhe iniciativat për të shpenzuar qytetarët.

Por qeverisja e Rilindjes dështoi dhe sa herë kopjoi e bëri gabim. I tradhtuan shqiptarët, sepse e kanë jetën e lidhur me oligarkët .

Shqipëria ka potenciale dhe mundësi të rimëkëmbet vetëm me një plan serioz në shërbim të qytetarëve dhe bizneseve.

Kriza ka vetëm një rrugëzgjidhje: Projektin ekonomik të PD-së. Shqipëria në punë është synimi ynë.