Virusi i merr jetën ish-kryebashkiakut të Përmetit, mesazhi i Metës

Presidenti Ilir Meta shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të ish-kryebashkiakut të Përmetit, Dhimitër Nasi, nga koronavirusi.

Teksa iu shpreh ngushëllime familjarëve, Meta thekson se “Familja Nasi humbi njeriun e shtrenjtë, Përmeti përcjell kryetarin e devotshëm, shoqëria u nda nga një qytetar me cilësi të rralla dhe Shqipëria ka nga sot një intelektual të përkushtuar më pak”.

Mesazhi i Metës:
Dita sot nisi e trishtuar me lajmin e ndarjes nga jeta të Dhimitër Nasit, kryetarit të parë të Bashkisë së Përmetit pas triumfit të demokracisë në Shqipëri! Ndihem i keqardhur për ndarjen, por dhe i nderuar që e pata nga miqtë më të mirë!

Familja Nasi humbi njeriun e shtrenjtë, Përmeti përcjell kryetarin e devotshëm, shoqëria u nda nga një qytetar me cilësi të rralla dhe Shqipëria ka nga sot një intelektual të përkushtuar më pak në kohën kur ka më shumë nevojë për shembuj si i Dhimitrit!

Ngushëllimet më të ndjera familjes, përmetarëve dhe miqve të tij kudo! U prehtë në paqen e përjetshme shpirti i tij fisnik!