Vdekja, një tabu që duhet thyer…

Shefqet Deliallisi

Njerëzit hynë në jetë për të dalë prej saj një ditë. Të gjithë ! Dikush më parë, dikush më pas. Megjithëse e natyrshme dhe universale, vdekja është kthyer në tabu. Gjithnjë e më pak njerëzit janë të përgatitur për ta pranuar. Ndonëse flitet fare pak për të sikur të mos egzistonte, fantazma e vdekjes i ndjek pas njerëzit, hap pas hapi, duke i’a vështirësuar jetën në pjesën e fundit të saj.

VDEKJA NUK MË TREMB, POR…

Në një intervistë të fundit (2019), Piero Angela 91 vjeçar, gazetari legjendar i RAI-t, drejtues i emisionit të famshëm Supper Quarc, pyetjes keni frikë nga vdekja i përgjigjet :“Vdekja nuk më tremb, por më shqetëson shumë se është fundi i jetës. Ne për shekuj kemi qenë të vdekur, dhe do vazhdojmë të jemi. Jeta është një çast, vetëm ‘një gjysmë ore’ kur kemi fituar ‘llotarinë.’ Për këtë arsye duhet të përpiqemi ta jetojmë sa më gjatë.”
Dhe aktori i famshëm Woody Allen 84 vjeçar me humor : “Frikë nga vdekja? Nuk kam, por thjeshtë nuk dua të jem aty kur ajo të ndodhë.” Me humor shprehet dhe “mbreti” i muzikës blues, B.B.King, pak para vdekjes në moshën 89 vjeçare : “Të gjithë në parajsë duan të shkojnë por pa vdekur më parë…”

DOLLI ME VDEKJEN !

Vdekja e Çehovit përmendet si nga më dinjitozet. Ndodhi në 15 korrik 1904 në një dhomë hoteli në BadenWürttemberg, Gjermani. Çehovi 44 vjeçar dergjej i sëmurë rëndë. Prej adoleshencës vuante nga tuberkulozi. Pranë në çastet e fundit i gjendej Olga Knipper, gruaja e tij, yll i Teatrit të Moskës, Dr Schwoerer mjek gjerman në shërbim të tij, dhe një student rus i mjeksisë…Sipas tyre ngjarja ka ndodhur pak a shumë kështu : Çehovi pas mesnatës kërkoi të thirrej mjeku. Kur ky i fundit e kuptoi se çdo shpresë për pacientin e tij po fikej, porositi një shishe shampanjë, mbushi një gotë pothuajse plot, dhe ja ofroi Çehovit, kolegut të tij mjek, në këtë rast pacient i tij. Çehovi vuri buzën në gaz dhe tha : “U bë kohë e gjatë që s’kam pirë shampanjë !” Ngriti gotën, e ktheu njëherësh të gjithë. U shtri i qetë, dhe heshti përgjithmonë.
Dr Schwoerer do të shkruante: “Çehovi u soll me sëmundjen e tij të rëndë si një hero. Vdekjen e priti me qetësi stoike të mahnitshme. Asnjë çast nuk e humbi vetëkontrollin. Duke vdekur ai dukej si i shenjtë. Ndoshta ishte ! ”

NGA FEJA TE MJEKSIA…

Shumë më pak i frikësoheshin vdekjes paraardhësit tanë. Ishin shumë më shumë besimtarë, dhe feja mësonte : Vdekja është e lehtë dhe e natyrshme. Si dhe lindja, vdekja është thjeshtë një transferim : të flesh ‘këtu’, dhe të zgjohesh ‘atje.’ Dhe njerëzit shkonin më të qetë drejt saj…
Me zbehjen e besimit fetar, vdekja, dikur monopol i fesë, u bë monopol i shkencës mjeksore. Klerikët, dikur ekspertë të vdekjes, ja lanë vendin mjekëve. Medikalizimi i vdekjes e ka kthyer Kujdesin Shëndetësor në një “fe” botërore që mund të vendosë kur dhe pas çfarë njeriu do të vdesë. Kjo “fe” e re po konsideron vdekjen një sëmundje që mund të trajtohet. Është shkuar aq larg sa (edhe në moshë të thyer) vdekja të konsiderohet dështim i mjeksisë !

FESTA FUNERALEVE !

Tom Kirkwood, në librin “Koha që jetojmë”(1999) përshkruan dy reagime në dy shoqëri të ndryshme, ndaj vdekjes në ditët tona. Gjatë një udhtim në Navrongo, Gana, Afrikë, atë e befasoi slogani i vendosur në një ndërtesë publike : “Mirë se vini në Navrongo! Sezoni i funeraleve po fillon!” Funeralet konsideroheshin festë në këtë skaj të botës ! Menjëherë pas vdekjes bëhej thjeshte varrimi, dhe në një sezon të përcaktuar posaçërisht, bëheshin funeralet. Një rit festiv në respektim të kalimit të të vdekuri nga bota reale në atë shpirtërore. Familjarët, miqtë mblidheshin, hanin, pinin, fesonin disa ditë me radhë ! Në këtë vend të Afrikës vdekja ishte shumë e zakonshme për të qenë e frikshme.

VDEKJA E PRINCESHËS…

Në po këtë libër Tom Kirkwood analizon reagimin ndaj vdekjes të Princeshës Diana në gusht të 1997, në Paris. Publiku britanik tradicionalisht konservator u befasua nga reagimi emocional i tepruar që e përfshiu. Si mund të vdiste një princeshë si Diana ?! Ishte vetëm 37 vjeç, shumë mediatike, vdekja tragjike, por sipas Kirkwood s’ishte ky shkaku i histerisë kolektive. Kjo vdekje i kujtoi njerëzve atë që ata përpiqeshin ta harronin : vdekshmerinë e tyre!
Për ironi, vetëm një shekull më parë, pothuajse gjysma e moshatareve të Dianës vdisnin në këtë moshë !

“UDHËTIM” ME KTHIM…

Në një intervistë kohët e fundit (2019) shkrimtari i shquar Fatos Kongoli, flet për një gjendje të rëndë shëndetësore të kaluar pak kohë më parë. Flet për kërkesën e tij për eutanazi dhe një “udhëtim” deri në pragun e “portës së fundit.”
“Mendimi për eutanazinë më erdhi kur mësova sëmundjen që kisha, sidomos gjendien që do të kisha pas ndërhyrjes kirurgjikale, tuba nëpër trup… Mendova se s’kish kuptim të jetoja në këto kushte. Kërkova eutanazinë… Do apo s’do, njeriu do të shkojë një ditë në destinacionin e fundit. Mirëpo njerëzit nuk e pranojnë eutanazinë…“
Më pas shkrimtari ju nënshtrua ndërhyrjeve të vështira kirurgjikale : “Pa asnjë stres u operova dy herë radhazi. Kisha frikë ? Jo, absolutisht jo. Kam hyrë në operacion duke qeshur, fare i qetë mendova sikur do hypja në një taksi që kudo të më çonte, unë s’do merrja vesh asgjë. Prandaj hyra shumë i qetë. Nuk më bënte përshtypje edhe sikur taksia të mos kthehej mbrapsh. Unë shkova, trokita, por më thanë jo. Unë u ktheva…”
Sot është mes nesh..

E KEQJA MË E MADHE DHE MË E VOGËL …

Duhet të shihet vdekja si e keqja më e madhe ku mjekësia të përqëndrojë luftën ? apo një cilësi më e mirë e jetës brenda një jetgjatsie me kufi ? Jetgjatësia dhe jetzgjatja janë dy gjëra të ndryshme. Një jetë më e gjatë nuk do të thotë një jetë më e mirë. Sipas një sondazhi të The Economist dhe Fondacioni Kaiser Family, një think tank prsetigjoz amerikan, nga anketimi i të moshuar me shëndet të mirë në katër vende të mëdha, rezultoi se nuk ishte vdekja e medikalizuara çfarë ata dëshironin. Vetëm pak prej tyre kishin përparësi të jetonin sa më gjatë të ishte e mundur. Shumica dëshironin kur të vinte koha, të vdisnin pa dhimbje, rrethuar nga të dashurit pa ju bërë barrë atyre. Nuk preferonin një fund të teknologjizuar në njësi të kujdesit intensiv, as një jetë të varur nga aparatura, as ushqim me tuba, apo kirurgji të mëdha.
Në librin e saj “Shkaqet Natyrore” (2018), Barbara Ehrenreich shkruan : “ Në moshën 76 vjeçare kam vendosur ta konsideroj veten mjaftueshëm të vjetër për të vdekur. Kundërshtoj check-up-in e përvitshëm, skrining për kancer, mamografi, çdo masë tjetër…Jo vetëm që refuzoj vuajtjen e një vdekje të medikalizuar, por refuzoj dhe një jetë të medikalizuar.”
Por kjo është çfarë njerëzit thonë kur janë me shëndet të mirë. Kur fundi afrohet, kur medojnë spitalin plot mjekë, paisje mjekësore, vdekja në shtëpi nuk është më tërheqëse.Trajtimet që dikur mendoheshin të pa tolerueshme për vuajtjeve që shkaktonin, duken e keqja më e vogël kur alternativa është vdekja. Atëherë ndryshojnë mendje. Sipas disa statistikave në SHBA në 10 vitet e fundit të jetës të moshuarit i nënshtrohen trajtimeve mjeksore agresive mjaft të kushtueshme, me një përfitim tepër të diskutueshëm. Një e treta kalojnë tre muajt e fundit të jetës në njësi të kujdesit intensiv. Një e pesta i nënshtrohet një ndërhyrje të madhe kirurgjkale muajin e fundit të jetës ! Kjo prirje është duke u përhapur dhe rënuar më tej ekonomikisht Sitemet Shëndetsore.
Në vendimarrjen për trajtimet mjekësore mosha duhet të jetë vendimtare. Në varësi të saj (70, 80, apo 90 vjeç) duhet të përcaktohen objektivat : zgjatje e jetës, ruajtja e cilësisë së saj, apo dhe ndalimi i trajtimit mjeksor.

KUR DUHET TË NDALEMI?

Vjen një çast që mjaft është mjaft ! Edhe pse ky vendim shkurton jetën. Rast tipik është ai i kancerit të pashërueshëm. Shumë investohet për trajtimin e tij. Barna të reja zbulohen çdo ditë. Por ndërsa përfitimi është i vogël, çmimet astronomike. Për më tepër, trajtimet janë plot efekte anësore serioze që përkeqsojnë ndjeshëm cilësinë e jetës në atë pak kohë që ajo shtohet. A ja vlen jetzgjatja vetëm për të qenë gjallë?
O’Mahony në librin e tij “Mënyra si jemi duke vdekur” (2016),
shkruan : “Përparimi në kurimin e kancerit më kujton betejat e llogoreve në Luftën e Parë Botërore ku për të disa qindra metra territor të fituar, humbnin mijëra jetë njerzore.”

KAFENÉT E VDEKJES !

E vetmja mënyrë për t’u çliruar nga makthi i vdekjes është hapja e ‘arkës’ ku qëndron e mbyllur kjo tabu e fundit. Bisedat për vdekjen tashmë kanë filluar të bëhen pjesë e mjekësisë moderne. Në vitin 2004 sociologu dhe antropologu zviceran Bernard Cretaz hapi në Neuchâtel të Zvicrës të parën “Kafené të vdekjes” që tërhoqi vëmendjen dhe inspiroi hapjen e Death café në mbarë botën. Në këto klube mblidhen njerëz në prag të vdekjes, të moshuar, punonjës shëndetsorë, punonjes socialë dhe flasin hapur për vdekjen. Qëllimi është : më shumë informim, që do të thotë më pak frikë, një jetë më të qetë, që do të thotë më pak kërkesa për mjekime të pakuptimta, një vdekje më të mirë, që do të thotë një jetë më e mirë deri në fundin e saj.

DUKE E MBYLLUR…

Të përzgjedhur rastësisht, ne hymë një ditë në jetë, për të jetuar një kohë. Por ndërsa jo të gjithë e kanë këtë fat, të gjithë ne, detyrimisht, duhet të dalin prej saj një ditë…
Duhet të ndërgjegjsohemi !
Ka jetgjatësi, ka edhe jetzgjatje, por pavdeksi s’ka gjithsesi !
Dhe, për atë që vdes vdekja s’egziston. Egziston thjeshtë momenti para saj. Frikë nga vdekja ? A kishim frikë që s’ishim gjallë para se të lindnim? Pse atëherë të kemi frikë prej vdekjes pasi të kemi vdekur ?
“Jeta do të ishte pafundësisht e lumtur vetëm nëse ne do të mund të lindnim në moshën tetëdhjetëvjeçare dhe gradualisht të shkonim drejt tetëmbëdhjetave”- shkruan mjeshtri sarkazmës Mark Twain.
Por kjo është jeta. Tepër e çmuar për ta shpenzuar duke u shqetësuar pa fund për vdekjen !