Trajneri i Shakhtarit: Interi na shkeli…

Trajneri i Shakhtar Donetsk, Luis Castro, e ka pranuar se Interi e shkeli skuadrën e tij pas golit të dytë në fitoren e thellë 5:0 në gjysmëfinale të Ligës së Evropës të hënën.

Skuadra ukrainase ishte e pamposhtur në 11 ndeshjet e fundit dhe vinte nga një triumf bindes 4:1 kundër Baselit në çerekfinale, por doli e turpëruar nga gjysmëfinalja pasi u rrah 5:0 nga Interi.

“Është një ditë e vështirë për ne. Interi fitoi, ne nuk ishim në gjendje të luanim në nivelin tonë të zakonshëm”, tha Castro pas ndeshjes.

“Pas golit të dytë ne nuk ishim më në gjendje të reagonim dhe Interi na shkeli. Fushata jonë në Ligën e Evropës ishte shumë e mirë, por nuk do ta harrojmë këtë humbje”, shtoi ai.

“Ne e studiuam Interin dhe e dinim se janë të rrezikshëm nga kornerët dhe deri te goli i dytë ishte një ndeshje e barabartë. Por pas golit të dytë, Interi ishte superior”, nënvizoi ai.