Trajneri i ri i Barcelonës flet pas takimit me Messin

Vetëm disa orë pas takimit me yllin e skuadrës së Barcelonës, Lionel Messin, tekniku i ri i katalanëve Ronald Koeman ka dhënë një intervistë për mediat holandeze, ku ka konfirmuar rëndësinë e “pleshtit” për klubin “blaugrana”.

Trajneri 57-vjeçar holandez foli me superlativa për sulmuesin argjentinas dhe u shpreh i bindur që ai do ta mbyllë karrierën te Barcelona, pasi e quajti Messin një emblemë për klubin katalan.

“Kam akoma kontakte me Guardiolën dhe ai më thotë që është fantastike të punosh me Messin. Është një fitues dhe kur nuk fiton, nervozohet. Duhet të sigurohem që ndihet i rëndësishëm, pasi Messi duhet të qëndrojë këtu. Messi është Barcelona dhe Barcelona është Messi”, deklaroi Koeman.

Ndërkohë spekulimet vazhdojnë për një largim të mundshëm të Leos nga Barcelona. Raportohet se Inter, Manchester City dhe Paris Saint Germain janë të gatshëm të hapin arkat për të rrëmbyer gjashtë herë fituesin e ‘Topit të Artë’.