Surpriza tjetër nga Beqja: Dy ditë në shkollë, tre ditë online

Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka deklaruar në një bisedë në studion e ABC News me gazetaren Mirela Milori se duhet menduar një mënyrë për hapjen e shkollave pa zëvendësuar marrëdhenien njerëzore mes mësuesit dhe nxënësit.

Ai tha se një alternativë është edhe zhvillimi i mësimit, i ndarë në dy pjesë online dhe në klasë në ditë të ndryshme të javës, për të shmangur kështu kontaktin e shpeshtë dhe grumbullimet në klasa.

“Marrëdhënia njerëzore mësues-nxënës është e pazëvendësueshme. Kush ka maturën ose klasën e nëntë duhet të jetë shumë u kujdesshëm.

Mundet të bëhen dy ditë në klasë dhe tre ditë online, por mbetet për t’u parë”, tha Beqaj.

Beqaj u shpreh se me rritjen e shifrave të të infektuarve si pasojë e neglizhimit të distancës sociale, do duhet që maska të bëhet me detyrim edhe në ambiente të hapura, veçanërisht në qytetet e populluara siç është Tirana.

“Nëse do vazhdojnë njerëzit të rrinë kaq afër me njëri tjetrin duhet të bëhen maskat me detyrim edhe në ambientet e jashtme. Të paktën në Tiranë kur ka shumë njerëz”, tha Beqaj.