Steve Bannon nuk pranon akuzën dhe lirohet në gjykatë

Disa orë pas arrestimit të tij, zoti Bannon nuk pranoi akuzat gjatë një seance në një gjykatë federale në Manhatan të qytetit të Nju Jorkut. Gjatë seancës dëgjimore ai ishte i pranishëm me video dhe me pranga në duar. Gjykatësi miratoi lirimin e tij me kusht me 5 milion dollarë, duke siguruar 1,75 milion dollarë në asete.

Prokurorët federalë në Nju Jork ngritën akuza ndaj ish-këshilltarit politik të Presidentit Trump, Steve Bannon, se në bashkëpunim me të tjerë, ka kryer mashtrim me dërgim elektronik parash, lidhur me një fushatë për grumbullim fondesh në mbështetje të ndërtimit të një muri kufitar midis Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës.

Në një deklaratë të Departamentit të Drejtësisë thuhet se ndaj zotit Bannon dhe tre personave të tjerë është ngritur padi “për rolin e tyre në mashtrimin e qindra mijëra donatorëve lidhur me një fushatë për grumbullim fondesh në internet të njohur me emrin ‘We Build the Wall’ (‘Ne ndërtojmë murin’), nga e cila u mblodhën më shumë se 25 milionë dollarë.”

Tre personat e tjerë të akuzuar janë Brian Kolfage, Andrew Badolato dhe Timothy Shea.

Zoti Bannon dhe të tjerët e përdorën fushatën për të grumbulluar fonde për ndërtimin e sektorëve privatë të murit të gjatë me Meksikën. Por prokurorët thanë se ata përdorën qindra mijëra dollarë nga këto fonde për shpenzime personale.

Prokurorja në detyrë Audrey Strauss tha në një deklaratë se: “Ndërsa siguronin vazhdimisht donatorët se Brian Kolfage, themeluesi dhe fytyra publike e organizatës ‘We Build the Wall’, nuk do të paguhej asnjë cent, të pandehurit fshehtas planifikuan të kalonin qindra mijëra dollarë në favor të Kolfage, të cilat ai i përdori për të financuar stilin e tij të jetës luksoze.”

Fushata për mbledhjen e fondeve u nis në vitin 2018 nga Brian Kolfage, veteran i Forcave Ajrore. Fillimisht synimi ishte të mblidheshin 1 miliardë dollarë, por përfundimisht u grumbulluan diçka më shumë se 25 milion.

Inspektori i ngarkuar me çështjen, Philip R. Bartlett tha: “Të pandehurit dyshohet se janë përfshirë në veprimtari mashtruese, pasi kanë paraqitur në dritë të shtrembër përdorimin e vërtetë të fondeve të dhuruara. Siç pretendohet, jo vetëm që ata gënjyen donatorët, por u përpoqën të fshehin shpërdorimin e fondeve, duke krijuar fatura dhe llogari të rreme për të pastruar donacionet dhe për të mbuluar veprimet e tyre kriminale, duke mos treguar respekt për ligjin ose të vërtetën.”

Zëri i Amerikës iu drejtua avokatit të zotit Bannon për të komentuar mbi aktakuzën, por nuk ka marrë përgjigje.

Të katër të pandehurit janë arrestuar. Secili prej tyre përballet me deri 40 vjet burg nëse shpallet fajtor.

Steve Bannon, u arrestua në bordin e një jahti 45 metra të gjatë në shtetin Kënektikat, sipas një burimi nga forcat ligjzbatuese.

Bannon, 66-vjeç, një figurë e njohur e së djathtës politike amerikane, shërbeu si këshilltar fushate dhe më pas këshilltar në Shtëpinë e Bardhë për zotin Trump, i cili e bëri ndërtimin e një muri kufitar një ndër premtimet kryesore të fushatës së vitit 2016.

I pyetur nga gazetarët, Presidenti Trump tha: “Unë nuk di asgjë për projektin përveçse kur lexova rreth tij dhe nuk më pëlqeu. Thashë: ‘Kjo është punë për qeverinë, nuk është për njerëz privatë,’ dhe mu duk si diçka që bëhej për vetmburrje.”

Presidenti tha gjithashtu se nuk i njihte tre personat e tjerë të akuzuar së bashku me zotin Bannon dhe se nuk besonte t’i kishte takuar ndonjëherë.

Fushata e kandidatit demokrat për president, Joe Biden tha se akuzat nënvizojnë faktin që presidenti është i rrethuar nga korrupsioni.