Shehaj-Ramës: Ke vjedhur 3 miliardë euro që i ke marrë borxh në emër të shqiptarëve

Agron SHEHAJ

Edi Rama mori mbi 3 miliardë euro borxh neto dhe nuk ndërtoi asnjë rrugë, me përjashtim mbylljen e disa segmenteve të vogla të projekteve të nisura nga qeveria e PD-së, si Unaza e Madhe me të cilën u mburr sot.

3 miliardë euro janë shpërdoruar, keqmenaxhuar dhe vjedhur me projekte fasadash. Imagjinoni një çast sikur të mos kishim zbuluar aferën DH Albania: rreth 50 milionë euro (bashkë me ato të paguara nga OSSHE për DH Albania) do ishin në llogari private në SHBA. Me gjasa kështu kanë përfunduar qindra milionë euro.

Shqipëria ka nevoja jetike për infrastukturë, për të gjallëruar ekonominë, shfrytëzuar potencialin e saj të madh turistik dhe pozicionin strategjik gjeografik. Të harxhosh 3 miliardë euro borxh dhe të mos ndërtosh asnjë vepër të mirëfilltë infrastrukturore është kriminale. Ndërkohë, potenciali i humbur ekonomik nga mungesa e infrastrukturës është edhe shumë miliardë euro të tjera.

Shifrat e frikshme të borxhit

Qeveria deklaron shifrën 80% por nuk përfshin këtu kontratat koncesionare 13% dhe nuk përfshin këtu detyrimet e prapambetura, afërsisht në masën 3-4% të PBB-së. Pra, borxhi që qytetarët shqiptarë dhe bizneset shqiptare që operojnë në Shqipëri që kemi detyrim për ta paguar gjatë javëve, muajve dhe viteve të ardhshme është afërsisht në masën 97% e PBB-së. Ky është borxhi publik real.

Nëse qeveria vendos të mos i kontabilizojë ato dhe të mos i deklarojë ato është zgjidhje e vetë qeverisë shqiptare. Është shkelje e rregullave dhe parimeve të menaxhimit të financave publike, megjithatë opozita këtë detyrë ka, të bëjë transparencë dhe transparenca bëhet në bazë të shifrave. Këto janë shifra që bazohen në vetë deklarimet e qeverisë shqiptare.

Nuk jemi ne që kemi lidhur kontratat koncesionare në PPP, në shëndetësi, në rrugë, në inceneratorë etj, është qeveria shqiptare dhe vlerën e kontratave e ka firmosur ajo dhe sot ne kemi detyrim prej mbi 2 mld eurosh vetëm për kontratat PPP që ka lidhur kjo qeveri që është aktualisht fatkeqësisht ende në fuqi. Nuk i kemi krijuar ne detyrimet gjatë 7 viteve të fundit, është kjo qeveri që ka krijuar detyrime për punë të kryera që ende sot nuk denjon t’i paguajë, ndonëse sot më shumë se kurrë ka nevojë për likuiditet dhe është një instrument shumë i mirë për ta ushqyer biznesin dhe për ta ringritur sado pak, për të minimizuar sado pak efektet e pandemisë dhe tërmetit.

Do të ishte rruga më e mirë gjetja e resurseve financiare për të paguar detyrimet e prapambetura që qeveria vazhdon të mos i paguajë. Asnjëherë në historikun tonë 30-vjeçar nuk kemi pasur këto nivele të borxhit publik.