SHBA do të monitorojë ujërat e zeza për të parandaluar përhapjen e COVID-19

Programi i ri CDC-it do të monitorojë ujërat e zeza për të matur përhapjen lokale të COVID-19.

Qendra për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Infektive e SHBA-ve ka filluar një program të ri që do të ndihmojë në monitorimin e përhapjes së COVID-19 duke përdorur ujërat e zeza, raporton CNN.

Sistemi i ri Kombëtar i Mbikëqyrjes së Ujërave të Zeza do të ndihmojë udhëheqësit lokalë të shëndetit publik të kuptojnë më mirë shtrirjen e përhapjes së pandemisë në komunitetet e tyre, njoftoi CDC-i.

Ujërat e zeza nga shtëpia dhe vendet e punës mund të testohen për materialin gjenetik të coronavirusit. Studimet tregojnë se virusi mund të gjendet në fekalet e njerëzve të sëmurë dhe gjithashtu te personat që nuk kanë simptoma të COVID-19, transmeton Telegrafi.

Rreth 80 për qind e SHBA-së kanë një lloj sistemi të kanalizimeve komunale, tha CDC-i. Me vonesa në testime dhe gjurmim të kufizuar të kontaktit, kjo do të ishte një plotësim i mirë i atyre metodave dhe mund të japë një pamje të madhe se sa është e përhapur sëmundja.

Në varësi të asaj se sa shpesh testohen ujërat e zeza, ato mund të jenë një tregues kryesor i ndryshimeve në barrën e sëmundjes në komunitet.

Ndryshe, kjo do të nënkuptojë që komuniteti mund të ketë disa ditë shtesë për t’u përgatitur për kapacitete të mëdha në spitale ose për të marrë vendime për bllokimin.