Rama: Më pranoi Putin, fola me Lavrovin…

Teksa situata politike në Bjellorusi vijon të jetë e tensionuar Kryeministri, Edi Rama ka zhvilluar së fundmi në cilësinë e kreut të OSBE-së, një bisedë telefonike rreth 30 minuta me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov.

Gjatë kësaj bisede telefonike me Lavrov, sipas Top News, mësohet se kryeministrit Edi Rama i është komunikuar se Vladimir Putin, i ka kërkuar presidentit Bjellorus, Aleksandër Lukashenko të pranojë kërkesën e OSBE-së për negocimin mes palëve politike.

Opozita në Bjellorusi, akuzon qeverinë se ka manipuluar zgjedhjet, ndaj Rusia ka mbështetur nevojën e ndërhyrjes së OSBE për të ndërhyrë për zgjidhjen e krizës.

Në Bjellorusi, mijëra qytetarë u ngritën të mërkurën në protestë edhe pse Presidenti Aleksandër Lukashenko dha urdhër policisë që të shpërndante turmat pas rreth një jave tubimesh kundër qeverisjes së tij.

Lidhur me situatën e krijuar në Bjellorusi Bashkimi Evropian, mbajti një takim urgjent të nivelit të lartë për krizën, ku u hodh poshtë rizgjedhja e Lukashenkos në votimet e debatueshme të 9 gushtit dhe njoftoi sanksione financiare ndaj zyrtarëve që BE-ja i fajëson për manipulime zgjedhore dhe abuzim ndaj protestuesve.

Nga ana tjetër kryeministri Edi Rama në rolin e kryetarit të OSBE ka shprehur gatishmërinë për të vizituar Minsk së bashku me ministren e Jashtme suedeze Ane Lind që do të marrë vitin tjetër presidencën e OSBE-së, dhe zhvilluar bisedime me të gjitha palët e përfshira në konflikt. Një ditë më parë edhe Bashkimi Evropian mbështeti propozimin e OSBE për dialog në Bjellorusi dhe thotë se është e gatshme të ofrojë asistencë të mëtejshme në këtë drejtim.

Bashkimi Evropian me anë të disa konkluzioneve zyrtare të bërë publike njoftoi sot se nuk i njeh rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të mbajtura në Bjellorusi më 9 gusht. BE deklaron se së shpejti do të vendosë sanksione për ata që janë të përfshirë në mashtrime zgjedhore dhe shtypje të protestave.

Këtë gjë e deklaroi edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel. Ai tha në fund të takimit të jashtëzakonshëm të liderëve të BE-së, se sanksionet do të vendoseshin për një numër të caktuar të individëve përgjegjës për dhunën, shtypjen dhe mashtrimin e zgjedhjeve.

Në zgjedhjet e mbajtura më 9 gusht, presidenti Alexandër Lukashenko shpalli fitoren me rreth 80 për qind të votave, ndërsa kundërshtarja e tij kryesore, Svetlana Tikhanovska, fitoi rreth 10 për qind të votave.

Në përfundim të mbledhjes së posaçme që bënë krerët e qeverive të vendeve anëtare të BE për situatën në Bjellorusi, Këshilli doli me konkluzionet ku në pikën 8 shprehet mbështetja për iniciativën e kryetarit të OSBE, Edi Rama.

Po sot Rama iu përgjigj zërave kritike nga Shqipëria duke komentuar në “twiter” se:
“Disa shqipe të politikës së madhe që fluturojnë lart, po vrerosen pse nuk kam shkuar në Minsk dhe ia paskam humbur një shans Shqipërisë! Në Minsk OSBE nuk shkon për selfie në protestë, po për të komunikuar me qeverinë dhe opozitën, çka kërkon aprovimin e të dyja palëve.

Unë jam krenar për faktin se megjithë kohën e mallkuar të pandemisë, lidershipi ynë i OSBE ka kryer me sukses punën e premtuar dhe ka fituar respekt e besim ndërkombëtarisht, çka e tregon qartë edhe referimi i BE-së ndaj ofertës së OSBE për Minskun.

Nuk i kemi bërë publike komunikimet e shpeshta të këtyre ditëve me aktorë të niveleve të larta në BE e jo vetëm, sepse kjo është natyra e punës në këtë fazë, por dua t’i siguroj të gjithë të interesuarit për këtë temë se Shqipëria po bën vërtetë më të mirën, bashkë me Suedinë”./Top Channel/