Qeveria parashikon të rikthejë karantinën?

Shifrat alarmante gjithnjë e në rritje e kanë detyruar Ministrinë e Shëndetësisë dhe Komitetin e Ekspertëve anti Covid 19, të rishikojnë sërish mundësinë e rikthimit të masave shtrënguese. Shefi i urgjencës Kombëtare Skënder Brataj, megjithëse ka hedhur poshtë skenarin e një izolimi të plotë si ai i muajve mars- prill, ka pohuar se po shqyrtohet varianti për të mbyllur lokale, supermarkate, apo qendra prodhimi si pasojë e situatës së përkeqësuar të rasteve të Covid- 19.

Dhe ky parashikim nuk është pa baza konkrete.

Duke parë ecurinë e tanishme Banka Botërore ka bërë një studim ku në skenarin më negativ ka parashikuar se Shqipëria mund të arrijë në një pik prej 300 rastesh të infektuarish për 100 mijë banorë, shifra që janë të ngjashme me ato të Spanjës apo Italisë. Dhe në një skenar të tillë nuk do të jetë çudi që njerëzit të ndërrojnë jetë në lulishtet para spitaleve, pa pasur as mundësi të prekin në to. Ky alarm që e ka detyruar BB të japë një ndihmë 15 milion euro për vendit tonë, niset nga shifrat e frikshme të mjekësisë këtu.

Me gjithë propagandën e Rilindjes që do ta vinte theksin tek shëndetësia kur mori pushtetin, ne jemi vendi që kemi përqindjen më të ulët të prodhimit të Brendëshëm Bruto, për këtë sektor. Nëse Shqipëria shpenzon vetëm 6.7% të GDP së saj për shëndetsinë, vendet e rajonit e kanë këtë shifër në 9.1%, ndërsa mesatarja e vendeve të BE-së shkon tek 11.3%. Pikërisht kjo ka bërë që shëndetësia shqiptare të ketë performancën më të dobët në raport me shërbimin që i bën publikut.

Sipas të dhënave të Eurostat dhe Bankës Botërore Shqipëria disponon 3 shtretër dhe 4.3 punonjës shëndetësie për çdo 1 mijë persona. Për të pasur një ide më të mirë se çdo të thotë kjo duhet pasur parasysh se vendet e BE kanë trefishin e shtretërve dhe pesëfishin e punonjësve shëndetësorë më shumë sesa ne.

Duke nisur nga këto kapacitete prej vendi të varfër dhe që ndryshe nga sa është trumbetuar nuk e ka pasur realisht prioritet shëndetësinë, rruga më e mirë është ajo e masave mbyllëse, ndonëse këto të fundit godasin fort konsumin dhe ekonominë. Nisur nga kjo Komiteti Ekspertëve dhe Ministria e Shëndetësisë duke mos pasur rrugë tjetër do të procedojnë me izolime të pjesshme për të parandaluar punën që nuk bëjnë dot spitalet.

Edhe në mars, Shqipëria duke ditur gjendjen e infrastrukturës së saj të vobektë ndërmori masa drakoniane shumë më të forta se vendet e tjera duke i lënë njerëzit të qarkullonim “me leje” që nga ora 05:00 e agimit deri në 13:00. Izolimi total u vendos në 13 mars, atëhere kur vdiq vetëm pacienti i parë, kur vendi kishte gjithsej 29 raste ose 10 raste për 1 milionë banorë, shifër që qe shumë më e ulët sesa mesatarja e vendeve të tjera kur vendosën masat izoluese.

Prandaj në skenarin më të keq për të mos ezauruar spitalet në rast se do të mbërrijmë tek 300 të infektuar për 100 mijë banorë, po planifikohen masa të reja të mbylljes.

“Lapsi.al”