Pirlo, trajneri i ri i Ronaldos që preferon Messin

Vetëm një javë pasi u emërua trajner i ekipit U23 të Juventusit, Andrea Pirlo është promovuar në postin e trajnerit të ekipit të parë. Tani, ish-mesfushori legjendar do ta ketë nën drejtim Cristiano Ronaldo, që ka bërë që një zgjedhje e tij në të kaluarën të bëhet sërish virale.

Legjenda italiane e futbollit u pensionua nga karriera e tij mbresëlënëse në vitin 2017 dhe së fundi e bëri hapin e parë në karrierën si trajner, duke e marrë drejtimin e ekipit U-23 të Juventusit.

Por, vetëm pak ditë më vonë, Pirlo, që i kishte fituar katërt tituj të Serisë A radhazi me Juventusin, është emëruar zëvendësuesi i Maurizio Sarrit, pas eliminimit nga Liga e Kampionëve kundër Lyonit.

France Football raportoi se ylli i bardhezinjve, Cristiano Ronaldo, e kishte dashur më herët këtë sezon transferimin në Paris Saint-Germain gjatë verës dhe emërimi i Pirlos mund ta zemërojë portugezin.

Pesë vjet më parë, ish-mesfushorit i ishte kërkuar ta zgjedhtë 11-shen me lojtarët më të mirë që kanë luajtur në Ligën e Kampionëve dhe Pirlo e kishte zgjedhur Lionel Messin, por jo Cristiano Ronaldon.

Kur kishte folur për Messin, Pirlo kishte thënë: “Ai ka arritur aq shumë, por unë jam i sigurt se ai mund të arrijë edhe më shumë. Nuk kam nevojë të flas në detaje për aftësitë e tij. Të gjithë e dimë se ai tashmë veçse është ndër më të mirët e të gjitha kohëve”.

Para ndeshjes lamtumirëse të tij në San Siro, Pirlo ishte pyetur edhe se cili është lojtari më i mirë kundër të cilit ka luajtur në karrierë dhe Pirlo e kishte zgjedhur Lionel Messin, përkundër që në karrierë është përballur edhe me Ronaldon.

Pastaj, në vitin 2015, ai ishte takuar me Messin në një restorant dhe e kishte publikuar fotografinë në llogarinë e tij në Instagram, me mbishkrimin: “Një takim i mrekullueshëm me më të mirin… Leo Messin”.