Përse po vrasin veten pacientët e shtruar në spitalet e COVID-19?

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Tiranë. Sipas informacioneve zyrtare nga policia, rreth orës 04:30 të mëngjesit, dyshohet se është vetëhedhur nga kati i 3 i një spitali shtetasi XH.K., 29 vjeç, e për pasojë ka ndërruar jetë.

Gazetarja Dorjana Bezat raportoi për “BalkanWeb” se 29-vjeçari ishte i prekur nga COVID-19 dhe ngjarja ka ndodhur në spitalin “Shefqet Ndroqi”.

Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Arsyet e kësaj vetëvrasje mund të jenë nga më të ndryshmet, por duke qenë se institucionet shtetërore përfshi edhe Prokurorinë janë bërë të pabesueshme, disa pikëpyetje mund të ngrihen në lidhje me këto vetëvrasje. Nga ajo që është bërë publike në media është fakti i kushteve mjaft të vështira në spitalet ku trajtohen pacientët me COVID-19.

Gazetarët, por edhe të shtruarit në këto spitale, që kanë dalë prej tyre, kanë dhënë dëshmi se mungojnë kushtet më elementare. Ata shprehën se mungon ushqimi, mungon higjena dhe deri tek solucionet për larjen e duarve.

Nga dëshmi të tjera të bëra publike ditën e djeshme, familjarët e të shtruarve në spitale thonë se po blejnë vetë deri edhe respiratorët që mungojnë në spital. Pra, kushtet e vështira mund të jenë kthyer në një torturë për këta pacientë që arrijnë deri në vetëvrasje.