PD në mbështetje të gazetarëve të ORA News, Vokshi: Transparencë për hetimin e pronarit të Tv, Ylli Ndroqi

Ish-deputetja e PD, Albana Vokshi ka reaguar në mbështetje të stafit dhe gazetarëve të Ora News, ndërkohë që ka kërkuar transparencë për hetimin e pronarit të Tv, Ylli Ndroqi.

Reagimi i plotë

Partia Demokratike ka ndjekur me vëmendje njoftimin e Prokurorisë së Posaçme për hetimin pasuror ndaj pronarit të grupit mediatik ORA z. Ylli Ndroqi.

Duke mbështetur çdo hetim, ndaj cilido, pa asnjë dallim dhe duke nxitur barazinë e plotë përpara ligjit, Partia Demokratike apelon për transparencë të plotë mbi këtë hetim, duke qenë se mund të vihet në rrezik serioz liria e medias.

Pretendimet e avokatëve mbrojtës për një sulm politik ndaj klientit të tyre janë shqetësuese dhe kërkojnë shqyrtim serioz.

Shpejtësia e hetimit prej vetëm prej 7 ditësh, nga nisja e hetimit deri në paraqitjen e kërkesës në gjykatë për sekuestrimin e disa mediave, vlen gjithashtu të sqarohet.

Dërgimi i forcave policore për të rrethuar RTV Ora dhe Ora News, duke ushtruar presion psikologjik mbi gazetarët dhe stafin hedh hije të forta dyshimi për mënyrën sesi u veprua, kohën kur u veprua dhe arsyet pse u veprua tani.

Partia Demokratike është në mbështetje të plotë të gazetarëve dhe stafit të RTV ORA dhe Ora News, duke i inkurajuar të vijojnë të palëkundur misionin e tyre në shërbim të publikut dhe interesit të qytetarëve.