Nyja e Hong Kongut dhe e ardhmja e Kinës së madhe

Një bashkëbisedim me Giorgio Cuscito

Të paktën qysh nga viti 1997 – viti i rikthimit zyrtar të ish kolonisë britanike nën sovranitetin e Republikës Popullore të Kinës – Hong Kongu është një lloj pikëpyetjeje që qëndron mbi modelin politik dhe ekonomik kinez. Shumë pyesin se pse Kina zgjedh rrugën e represionit – të ashpër dhe paekuivok – pavarësisht viteve protestash gjithnjë e më të forta, të gjera dhe të përsëritura në kohë. Pekini nuk mund të bënte kompromis dhe ndoshta deeri të përfitonte nga statusi special i Hong Kongut si për të tentuar ndonjë eksperiment të kufizuar liberalizimi dhe futjeje të “rule of law”? Në thelb, sistemi kinez po përjeton megjithatë një evolucion të caktuar, të paktën në raportin midis politikës dhe ekonomisë, për shembull përballë rolit në rritje të financës dhe të teknologjive dixhitale.
Plani i Kinës ka qenë gjithmonë përfundimi i autonomisë politiko – legjislative të Hong Kongut, çfarëdolloj gjëje që të ndodhte. Pekini synon që të ruajnë specialitetin ekonomik e ish kolonisë britanike, që i mundëson qytetit të shërbejë si portë hyrëse për investimet financiare perëndimore, të nevojshme për ekonominë kineze, por nuk ka dashur kurrë ta transformojë Hong Kongun në një demokraci apo në një sistem të pavarur. Përkundrazi, intensiteti i protestave ka shtyrë në drejtimin e grushtit të hekurt, një metodë mendojnë në Pekin që mund të jetë e kushtueshme në terma konsensusi e reputacioni në periudhë afatshkurtër, por që do t’i japë frutet e saj në perspektivë. Veç kësaj, tensionet me Shtetet e Bashkuara gjatë dy viteve të fundit sigurisht që e kanë ushqyer ngurtësinë e regjimit kinez.

Për një vëzhgues të jashtëm, është ee vështirë të imagjinohet që Republika Popullore, ma partinë e vetme, aparatin shtypës dhe obsesionin e saj për rreziqet e mosdakordësisë së brendshme, mund të tolerojë një lloj enklave të rule of law dhe autonomie relative vendimmarrjeje. Duket se bëhet fjalë për një ekuilibër strukturalisht të paqëndrueshëm. Por cila është nyja e rivendikimeve të kujt proteston në Hong Kong, që për pasojë ka shkaktuar edhe përplasjen?
Sigurisht që ajo e sufrazhit universal është një temë kyçe. Në “Basic Law”, minikushtetutën rajonale, shkruhet se një prej “objektivave” juridikë të entitetit autonom është arritja e sufrazhit universal për zgjedhjen e Chief Executive, kreut të qeverisë lokale. Sistemi kompleks me të cilin zgjidhen ekzekutivi dhe legjislativi është vetëm në dukje demokratik. Elita ekonomike hongkongase, fuqimisht e lidhur me Pekinin falë flukseve financiare dhe bizneseve, ka një rol themelor në këtë procedim. Nga këtu edhe pakënaqësia në rajon. Disa vite më parë Kina kishte propozuar një reformë për futjen e sufrazhit universal, por që nuk e prekte lidhjen midis kreut të ekzekutivit lokal dhe qeverisë qendrore të Pekinit. Në fund, lëvizja prodemokratike e ka bindur Parlamentin hongkongas që ta refuzonte projektin.

Pra kemi faktikisht një koalicion forcash ekonomike e sociale në të njëjtin qytet, që të paktën momentalisht kundërshton shtytjet demokratike në kuptimin e vërtetë të fjalës. Kjo është një e dhënë ndoshta e nënvlerësuar nga jashtë. Po korporatat ligjore e financiare të Hong Kong gjithsesi nuk kanë interes për një autonomi më të madhe?
Siç e kemi thënë, lidhja me Kinën e bën të vështirë për elitën ekonomike të Hong Kongut që të rebelohet. Veç kësaj nënvlerësohet fakti që, me ligj, interpretimi i “Basic Law” i takon Pekinit. Nga ana tjetër, Hong Kongu nuk ka qenë kurrë realisht i pavarur, as nën dominimin britanik, as nuk priste që të bëhej me kalimin nën sovranitetin kinez. Për qytetarët e tij, ligji për sigurinë kombëtare i miratuar më 1 korrik konfirmon një dinamikë në zhvillim prej kohësh.

Atëhere pse gjenerata e re dhe shumë e re që i ka dhënë jetë protestave dhe ka ditur ta mbajë në jetë me kalimin e kohës pavarësisht gjithçkaje, ka synuar kaq shumë mbi ndryshimin?
Ky grup demografik është rritur në një kontekst më të lirë, në një periudhë ku normalizimi i Hong Kongut dukej i largët. Për shembull, aksesi në internet ka qenë qenë gjithnjë i lirë, edhe pse ligji për sigurinë kombëtar tashmë mund ta përmbysë. Platformat kryesore kanë vendosur ta pezullojnë bashkëpunimin me autoritetet, gjë që në fakt e bënin më parë në rast krimesh, pasi edhe shprehja e mendimit mbi disa tema të ndjeshme tani mund të çojë në proces dhe në burg në Kinë. Tani arrestimi mund të ndodhë me shumë pretekste, liria e mendimit dhe e shprehjes janë vendosur seriozisht në rrezik. Disa drejtues të lëvizjes së protestës planifikojnë të arratisen jashtë vendit që të mund t’i vazhdojnë aktivitetet e tyre politike.

Domethënë jemi përballë një problemi gjeneracional: të paktën disa banorë të Hong Kongut kanë vërtet shpresa për liri më të madhe, në mos për autonomi politike të vërtetë. Por, për Kinën, a nuk do të ishte një çlirim në rast se do të vendosnin të largoheshin?
Në të vërtetë do të ishte problem, ndoshta një bumerang, pasi mund të ushqehet nga larg pakënaqësia në Hong Kong. Për shembull, nga Shtetet e Bashkuara, nga Mbretëria e Bashkuar, vend që për gjeneratat e reja përfaqëson lirinë që Kina dëshiron të mohojë, edhe pse gjatë regjimit kolonial liria nuk ekzistonte aspak, ose nga Tajvani. Ishulli i Formozës mund të bëhet një qendër disidentësh, duke u larguar më tej nga rruga e ribashkimit (pas ndarjes së sanksionuar në vitin 1949) me prapatokën që imagjinon Pekini.

Pra, të paktën nga perspektiva e Pekinit, ekziston një lidhje e rrezikshme midis çështjes së Hong Kongut dhe asaj të Tajvanit. Në rast se të dy problemet e pazgjidhura në një farë mënyre do të rregulloheshin, kuadri politik do ta ndryshonte në mënyrë të thellë. Sigurisht që duket e vështirë të imagjinohet se në fatin e Tajvanit ka një raport konstruktive dhe të qëndrueshme me Kinën Popullore.
Për momentin, një ribashkim paqësor me Tajvanin është thuajse i pamundur dhe Pekini e ka kuptuar. Qeveria kineze i kishte propozuar Taipeit të njëjtën formulë në fuqi në Hong Kong dhe tajvanasit kanë treguar kundërshtinë e tyre. I është provë rizgjedhja e Presidentes Tsai Ing-wen, e cila tani kërkon mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për ta shkurajuar Kinën nga ribashkimi manu militari. Megjithatë Tajvani, që është vetëm 150 kilometra larg nga prapatoka, është i nevojshëm për projeksionin gjeopolitik kinez: do të ishte pikë themelore aksesi në Oqeanin Paqësor. Do të prishte në fakt të ashtuquajturin “zinxhir të parë të ishujve”, që ndajnë Republikën Popullore nga deti i hapur. Megjithatë, pozicioni kinez për ribashkimin me Tajvanin nuk është monolitik: është në zhvillim një debat brenda vetë forcave të armatosura kineze lidhur me më nëse, si dhe kur do të pushtohet ishulli.

Qartazi që ekziston një kontekst gjeopolitik shumë delikat rreth çështjes së Hong Kongut dhe jo vetëm prej “Joint Declaration” së vitit 1984 midis Pekinit dhe Londrës që teorikisht është ende në fuqi dhe që parashikon të mos modifikohet statusi politik i tij për 50 vjet nga 1997, domethënë deri në vitin 2047. Ama duke parë lidhjen me të gjithë skakierën e Azi – Paqësorit, problemi është shumë më kompleks, duke përfshirë pashmangshmërisht Shtetet e Bashkuara si garant të sigurisë së Tajvanit dhe të lirisë së lundrimit në të gjithë rajonin. Mbetet për t’u parë nëse presionet ndërkombëtare mund të luajnë ndonjë rol në çështjen e Hong Kongut apo rrezikojnë deri sa të prodhojnë efekt të kundërt.
Presionet anglo – amerikane mund ta ushqejnë pakënaqësinë në Hong Kong, pasi popullsia e ka humbur tashmë çdo besim tek qeveria kineze; ta rikuperojë pasi ka miratuar ligjin mbi sigurinë kombëtare është tejet komplekse. Edhe ligji për ekstradimin, që mundësohej të xhirohej sistemi ligjor i Hong Kong duke i transferuar proceset nën sistemin e regjimit kinez, është konsideruar një fyerje shumë e rëndë ndaj autonomisë lokale. Por ligji mbi sigurinë kombëtare jo vetëm i kufizon liritë themelore, por en passant mundëson edhe ekstradimin, duke xhiruar Parlamentin dhe pushtetin vendor. Në këtë kuadër, është e lehtë për Perëndimin që të shfaqet si shpëtimtar, si çlirimtar, duke ofruar për shembull pashaporta, azil apo korsi preferenciale për shtetësinë.
Uashingtoni, por edhe Londra (që pikërisht nuk garantonte aspak një regjim demokratik gjatë periudhës koloniale, por që e lejoi sufrazhin universal vetëm pak kohë përpara se t’ia ridorëzonte qytetin Kinës), mund të kapitalizojnë një dividend gjeopolitik. Çështja e Hong Kongut mund të futet në të gjitha traktativat e Shteteve të Bashkuara dhe të Mbretërisë së Bashkuar, mbi tregëtinë, mbi 5G, me Kinën. Vendet e Europës kontinentale janë më të mefshtë, por sigurisht që çështja e Hong Kongut mund të peshojë edhe mbi raportet me Bashkimin Europian, që kohët e fundit po ngurtësohet në frontin teknologjik. Me pak fjalë, të drejtat e njeriut mund të bëhen monedhë shkëmbimi. Europa mund të kërkojë më shumë në frontin tregtar e të investimeve, në këmbim të një presioni më të pakët kinez ndaj Hong Kongut. Kështu, Kina bën hesapet me barrat e pranisë globale të saj.

Por përballja me ambiciet globale nënkupton edhe që të merren përgjegjësi të reja dhe ndoshta të pranohen kompromise që më parë besoheshin të paimagjinueshme. Nuk është e qartë nëse ka një dinamikë politike të brendshme të vërtetë në Republikën Popullore që mund ta vërë në dyshim menaxhimin aktual të Hong Kongut. Nga jashtë, është edhe shumë e vështirë të kuptohet se çfarë mendojnë kinezët për këtë çështje. Vërtet Pekinit i duhet të përballet edhe me një “front të brendshëm” solidar me protestën?
Në realitet, midis Kinës dhe Hong Kongut ekziston një divergjencë kulturore e caktuar, që nuk ka prodhuar asnjë solidaritet politik. Mesatarisht, kinezët kontinentalë mendojnë se hongkongasit ndjehen superiorë dhe se, për më tepër, janë të privilegjuar, pasi në fundit kanë liri dhe mundësi që në pjesën tjetër të vendit janë të papranueshme. Kështu që nuk i kuptojnë protestat ose i konsiderojnë të tepruara, domethënë prej “të llastuarish”. Banorët e Hong Kongut ndjehen të ndryshëm të hapur, të civilizuar, karshi kinezëve të kontinentit që shpesh i konsiderojnë të trashë, injorantë. Me pak fjalë, Hong Kongu nuk e konsideron veten “Kinë”. Për këtë argument, për momentin opinioni publik kombëtar nuk është problem për Pekinin. Prioriteti i qeverisë kineze tani është që t’i integrojë gradualisht honkongasit në Republikën Popullorre. Edhe nga pikëpamja kulturore, duke injektuuar tek më të rinjtë besnikërinë ndaj vendit nëpërmjet sistemit shkollor.
(Giorgio Cuscito është analist dhe studiues i gjeopolitikës kineze dhe i Lindjes së Largme. Është kurator i “Buletinit Perandorak” të Limesonline dhe Këshilltar Redaksional i revistës italiane të gjeopolitikës “Limes”)

Përgatiti
ARMIN TIRANA