Nevada e miraton: Vetëm votime me postë, Trump, padi për ndryshimin e rregullave zgjedhore, sjell manipulim

Ligjvënësit në Nevada kanë rënë dakort të dërgojnë fletët e votimit nëpërmjet postës tek të gjithë votuesit në këtë shtet perëndimor amerikan. Ky vendim mori kritikat e menjëhershme të Presidentit Donald Trump duke e konsideruar atë të padrejtë ndaj republikanëve.

Ligji i ri, i cili pritet të nënshkruhet nga Guvernatori demokrat Steve Sisolak, do ta bënte Nevadan shtetin e tetë amerikan që dërgon automatikisht fletëvotimet nëpërmjet postës për ta bërë më të lehtë votimin dhe për të shmangur radhët e gjata në qendrat e votimit në 3 nëntor, ndërsa Shtetet e Bashkuara gjenden në mesin e një rritjeje të pandemisë së koronavirusit.

Presidenti Trump ka pretenduar, pa paraqitur evidencë, se shtimi i votimit nëpërmjet postës, në shtetin Nevada dhe më gjerë, do të sillte manipulim të gjerë elektoral dhe rezultate të manipuluara në dëm të tij.

Presidenti kërcënoi se do të ngrejë padi gjyqësore për të bllokuar ndryshimin e rregullave zgjedhore të Nevadas, shtet në të cilin ai humbi me 27 mijë vota më pak përballë demokrates Hillary Clinton në zgjedhjet e vitit 2016. Anketimet tregojnë se ky shtet anon drejt mbështetjes për kandidatin demokrat, ish-Nënpresidentin Joe Biden, ndërsa kanë mbetur vetëm tre muaj deri në zgjedhje.

Nevada ka gjashtë vota elektorale, nga 270 që nevojiten për të fituar presidencën në Kolegjin Elektoral – një sistem i deleguar i zgjedhjeve demokratike kombëtare gjatë të cilave rezultati shtet pas shteti përcakton se kush fiton një mandat katërvjeçar në Shtëpinë e Bardhë.

Në një koment në Twitter, Presidenti Trump tha se “në një puç të paligjshëm të orëve të vona, Guvernatori i salloneve të Nevadas e bëri të pamundur për republikanët që ta fitojnë këtë shtet. Shërbimi Postar nuk do të menaxhonte kurrë trafikun e fletëvotimeve me postë pa një parapërgatitje. Përdoret COVID-i për të vjedhur shtetin. Shihemi në Gjykatë!”.

COVID-19 është sëmundja e shkaktuar nga koronavirusi.

Në vitet e mëparshme, pesë nga 50 shtetet, përfshirë shtetin Utah ku dominojnë republikanët, kanë zhvilluar votim me postë, me pretendime të pakta për manipulime. Dy shtete demokrate, Kalifornia dhe Vermonti, këtë vit ndërmorën hapin për të miratuar votimin me postë, por Presidenti Trump ka nisur një varg të gjatë sulmesh verbale ndaj shteteve që kanë rishikuar kufizimet për ta bërë më të lehtë votimin në mes të pandemisë.

Më shumë se manipulim zgjedhor, vendi mund të përballet me një problem lidhur me numërimin në ditën e zgjedhjeve, më 3 nëntor, me shumicën e amerikanëve që tashmë janë mësuar të marrin vesh se kush fitoi presidencën në të njëjtën ditë kur kanë hedhur votën.

Numërimi i fletëvotimeve të ardhura me postë që kanë vonuar zgjedhjet paraprake të partive politike muajt e fundit është zgjatur me javë të tëra në disa raste, ndoshta duke paralajmëruar për vështirësi në të gjithë vendin gjatë zgjedhjeve presidenciale. Dy zgjedhje në Nju Jork që u mbajtën në fund të qershorit nuk janë vendosur akoma për shkak të numërimit të ngadaltë të fletëvotimeve me postë.