Mjetet e vjetra, shkaktarët kryesore të dëmeve në sigurime, ekspertët: Primi duhet të jetë më i lartë se ai i mjeteve të reja !

Erjona Kodra

Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2019 nga aksidentet rrugore në Shqipëri humbën jetën 519 persona duke shënuar një rritje me 12 përqind krahasuar me vitin 2018.

Referuar të dhënave të Eurostat për këtë çështje, gjatë vitit 2018 Shqipëria ka një numër viktimash nga aksidentet gati 4 herë më të lartë krahasuar me mesataren e Bashkimit Europian.

Tashmë është fakt i padiskutueshëm që automjetet e vjetra jo vetëm janë ndër shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit, por njëkohësisht janë edhe një rrezik i shtuar në terren për aksidentet duke krijuar më shumë dëme materiale dhe njerëzore gjatë aksidenteve.

Sipas të dhënave zyrtare të tregut të sigurimeve gjatë vitit 2019, si pasojë e aksidenteve automobilistike janë shkaktuar mbi 11 mijë dëme, ku autoveturat përbëjnë shkaktarin kryesor me mbi 75 % të rasteve.

Parë nga pikpamja e moshës së mjeteve, rezulton se 85 përqind e aksidenteve me pasoja dëme materiale ose njerëzore, janë shkaktuar nga mjetet me vjetërsi mbi 10 vjet, 62 përqind nga mjete me vjetërsi mbi 15 vjet dhe 26 përqind nga mjete me vjetërsi mbi 20 vjet.

Nëse flasim vetëm për autoveturat, gjatë vitit 2019, rezulton se ato me vjetërsi mbi 10 vjet kanë shkaktuar 7656 dëme ose mbi 87 % të totalit të këtij grupimi.

Përballë kësaj situate të rënduar dëmesh me pasoja të rënda financiare për tregun e sigurimeve, çfarë ndodh me detyrimet që paguajnë drejtuesit e këtyre automjeteve, shkaktare të aksidenteve?

Fatkeqësisht në këtë drejtim ndodh një padrejtësi e madhe, sepse si poseduesit e këtyre mjeteve të amortizuara ashtu edhe zotëruesit e automjeteve me moshë më të re paguajnë thuajse të njëjtin prim për sigurimin motorrik, duke krijuar një trajtim jo të drejtë për qytetarët, ç’ka duket qartë në çmimet që aplikojnë kompanitë e sigurimeve në vend.

Konkretisht: për një automjet që i përket grupit 2201 cc deri në 3000 cc, me vjetërsi më pak se 5 vite, cmimi për sigurimin vjetor TPL është 17,410 lekë, ndërkohë që për automjetet me të njëjtën fuqi motorrike dhe vjetërsi prodhimi mbi 10 vite, cmimi i TPL-së është 17.956 lekë.

Pra, duket qartë që jemi përpara një situate të padrejtë si për konsumatorin ashtu edhe për tregun e sigurimeve, ku cmimi i siguracionit është pothuajse i njëjtë për mjete të të njëjtit grup, pavarësisht rrezikut që ato sjellin në terren dhe dëmeve që shkaktojnë gjatë aksidenteve.

Po perse mjetet e vjetra paraqesin rrezik më tëmadh krahasuar me mjetet e reja?
Ekspertët thonë se nga pikpamja teknike, mjetet e vjetra, paraqesin rrezik të shtuar në terren. Për shkak të amortizimit që kanë këto mjete, sistemi i frenimit është më pak efiçent, që do të thotë se para një situate të papritur në terren, për të njëjtën shpejtësi lëvizje, mjetet e vjetra ndalojnë më me vështirësi se mjetet e tjera dhe dalin jashtë kontrollit duke e bërë të pamundur shmangien e aksidentit.

Me sigurimin TPL, siguruesi merr përsipër të paguajë dëmet që i shkaktohen palëve të treta gjatë përdorimit të mjetit motorrik të siguruar. Vlera e dëmit që shoqëritë e sigurimit marrin përsipër të paguajnë, nuk varet nga mosha e mjeteve që shkaktojnë dëmin, por nga vlera e dëmit të shkaktuar ndaj palës së tretë që mund të jetë dëm material/motorrik, dëm pasuror apo dëm shëndetësor.

Në këtë situatë, nisur nga rrisku më i madh i mjeteve të vjetra për të shkaktuar aksidente/dëme, specialistët e fushës rekomandojne se është e domosdoshme që primi i sigurimit të përcaktohej në referencë të rrezikut real që paraqet çdo automjet, ç’ka do të vendoste në ekuilibër raportet dëme/prime dhe marrëdhëniet treg i sigurimeve/konsumator.