Mjekët gjermanë japin lajmin për gjendjen shëndetësore të liderit të opozitës ruse

Gjendja e liderit të opozitës ruse Alexei Navalny po përmirësohet, mirëpo ende vijon të jetë në gjendje kome.

Mjekët gjermanë kanë bërë me dije se Navalny është në një gjendje të qëndrueshme dhe e ka kaluar fazën e rrezikut për jetën..

“Ka pasur disa përmirësime në simptomat e shkaktuara nga pengimi i aktivitetit të kolinesterazës. Ndërsa gjendja e tij mbetet e rëndë, nuk ka rrezik të menjëhershëm për jetën e tij”, tha spitali.

“Megjithatë, për shkak të ashpërsisë së helmimit të pacientit, mbetet shumë herët për të vlerësuar efektet e mundshme afatgjata”, shtuan mjekët më tej.

Navalny, një nga kritikët më të ashpër të Vladimir Putin, u sëmur gjatë një fluturimi për në Moskë nga Siberia javën e kaluar dhe u dërgua në një spital në qytetin Siberian të Omsk pasi avioni bëri ulje emergjente.

Ai u transferua në fundjavë në spitalin Charité në Berlin, ku mjekët gjetën shenja të helmimit. Navalny është duke u trajtuar me atropinë, i njëjti antidot i përdorur pas sulmit të agjentit nervor në Salisbury ndaj ish-spiunit rus Sergei Skripal dhe vajzën e tij.

Aleatët e Navalny thonë se ai ishte helmuar me dashje dhe se Kremlin ishte përgjegjës. Këto akuza janë hedhur poshtë nga zyrtarët rusë.

Navalny u soll në Gjermani për trajtim pasi kancelarja, Angela Merkel, ndërhyri personalisht.