Meta, kritika të forta ndaj Ramës: I papërgjegjshëm si çdo herë, drejton gishtin…

Presidenti i Republikës Ilir Meta deklaroi sot se situata e krijuar në Kakavijë është vetëm për shkak të papërgjegjshmërisë së qeverisë ndaj shtetasve të saj. Ai iu kërkoi ndjesë qytetarëve që pritën me ditë të tëra në emër të shtetit shqiptar.

“Ditët e fundit të gjithë jemi tronditur nga situata humanitare ku mijëra emigrantë shtetas shqiptarë u lanë me ditë të tëra të braktisur dhe në kushte të vështira. Situata e krijuar në Kakavijë ka të bëjë vetëm me përgjegjësitë e paushtruara në kohën e duhur nga ana e qeverisë shqiptare ndaj shtetasve të saj. Si çdo herë qeveria gjen justifikime duke drejtuar gishtin nga ana tjetër e kufirit ndërkohë që është përgjegjësi e saj.

Çfarë informacioni iu është dhënë njerëzve që udhëtojnë drejt Greqisë, çfarë paralajmërimesh ka bërë? A ka pasur ndonjë njoftim nga ana e MEPJ për kuotën e kalimit prej 750 personash në ditë. Përgjegjësia është vetëm mbi shtetin.
Radhët kilometrike në kufi sidomos në kushtet e pandemisë janë të patolerueshme. Një qeveri e përgjegjshme i parandalon situata të tilla.

Askush nga institucionet nuk i njoftoi qytetarët për kushtet.
Qeveria fajësoi dhe vetë qytetarët për krijimin e radhëve të gjata. Kjo është e pafalshme dhe e papranueshme sepse është papërgjegjshmëri. Dua të falënderoj median për rolin e veçantë, gazetarët të cilët iu erdhën në ndihmë shumë prej familjeve dhe falë kontributit të tyre shpëtoi jeta e një fëmije 11 muajsh. Ne jemi një vend me numër rekord sa i takon emigrantëve, ndaj të gjitha strukturat duhet të ndjekin me përparësi lëvizjen dhe qarkullimi ne shtetasve tanë.

Qeveria duhet të sigurojë tamponë falas për qyt tanë. Një tampon prej 120-140 euro është i papërballueshëm për një familje me disa pjesëtarë. Qeveria duhet të marrë masa. Vendi ka nevojë më shumë se kurrë për përkujdesje dhe përgjegjshmëri. Kërkoj ndjesë në emër të shtetit shqiptar për të gjithë qytetarët që për dite të tëra kaluan momente tepër të vështira në pikat e kalimit kufitar me Greqinë”, deklaroi Meta.