Marinela Ziu: 5 oligarkë përfitojnë 3 miliardë euro vetëm nga koncesionet!

Marinela ZIU
Eksperte, Departamenti i Antikorrupsionit, Aksesit Publik në Shërbime dhe Transparencës në Qeverisje, Partia Demokratike e Shqipërisë

Pas rrënimit ekonomik që solli tërmeti, dhe më pas edhe pandemia, prioriteti i vetëm i qeverisë, ashtu sikurse këto 7 vjet, vazhdojnë të mbetën koncesionet/ppp për 5 oligarkë dhe zyrat luksoze për administratën.

Sipas të dhënave zyrtare të tatimeve, për shkak të pandemisë, deri në muajin korrik janë mbyllur 32,4 mijë biznese, 98% e të cilave biznese të vogla. Për pasojë, lista e të papunëve u shtua edhe me 57 mijë persona ose 9% të të punësuarve në vend, pa përfshirë këtu edhe të dhënat për personat e papunë që ushtrojnë aktivitet në fushën e bujqësisë apo turizmit.

Me paketa gjysmake, që nuk përfshinin gjithë kategoritë e dëmtuara nga pandemia dhe mbi të gjitha të vonuara në kohë, qëveria dha 100 milionë euro për 373,626 persona. Ndërkohë, 5 oligarkë të lidhur me qeverinë përfitojnë 3 miliardë euro vetëm nga koncesionet/ppp, pa përfshirë këtu prokurime publike, leje ndërtimi, investime strategjike, qira pronash publike me 1 euro dhe çdo favorizim tjetër në kurriz të taksave tona dhe pasurive publike të përfituara në mënyrë kriminale.

Nga ana tjetër, 17 mijë qytetarë vazhdojnë të ngrysen e gëdhihen në qiell të hapur pas tërmetit, e mijëra fëmijë presin të rinisin shkolla, por pavarësisht propagandës me video 3D, shkollat vazhdojnë të jenë të rrënuara. Ndërkohë, 13 milionë euro janë shpenzuar vetëm për rikonstruksion zyrash nga janari, e nëse prioritet do ishin femijët shqiptarë, me këto para, do ishin ndërtuar plot 18 shkolla me standartet më të larta europiane.

Në 7 vitet e fundit, taksat tona janë rritur me 2,1 miliardë euro por shërbimet dhe mbështetja për qytetarën vazhdon të jetë 0…

Nuk jemi të varfër, jemi të vjedhur!