Llukashenko nuk ka vetëm në Minsk. Ai është edhe në Tiranë, duke drejtuar bashkë me Niçet qeverinë

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi ka risjellë edhe një herë në vëmendje dosjen 339 duke akuzuar kryeministrin Edi Rama si organizatorin dhe përfituesin e një skeme kriminale për vjedhjen e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017.

Bardhi shkruan se, sa më shumë fletë hapen nga dosja 339, aq më shumë zbulohet skema e blerjes së pushtetit të Edi Ramës me krimin. Sipas tij, dosja 339 është një thesar ende i pazbuluar që i lidh Avdylajt e trafikut të drogës me Edi Ramën dhe njerëzit e tij të besuar në Durrës.

“Llukashenko nuk ka vetëm në Minsk, por edhe në Tiranë”, shkruan Bardhi në reagimin e tij.

Deklaratë e Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi

Sa më shumë fletë hapen nga dosja 339, aq më shumë zbulohet skema e blerjes së pushtetit të Edi Ramës me krimin. Zbardhja nga media e disa bisedave të tjera të Niçes famëkeq të organizatës mafioze të Avdylajve gjatë fushatës elektorale 2017, konfirmon mashtrimin elektoral të organizuar nga Edi Rama, që i dha atij të paktën 10-15 deputetë pa vullnetin e qytetarëve.

Vetëm në 1 qendër votimi, në një fshat të Shijakut, janë vulosur dhe janë futur në kuti 25 fletë votimi të papërdorura. Siç thotë vartësi i Niçes, ‘aq tepruan’, se fitorja e Edi Ramës do të kishte qenë edhe më e thellë.

Futja në kuti e fletëve të papërdorura, votimi i emigrantëve pa ardhur në Shqipëri, blerja e votave, kërcënimi me largimet nga puna i demokratëve apo qytetarëve të paangazhuar janë të provuara nga dosja 339 si skema të përdorura nga krimi i organizuar për t’i siguruar Edi Ramës pushtetin.

Kaq sa është bërë publike nga një dosje që po zvarritet prej 3 vitesh e gjysëm, është vetëm maja e ajsbergut, që provon se Edi Rama është organizatori dhe përfituesi i një skeme kriminale për vjedhjen e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017.

Dosja 339 është një thesar ende i pazbuluar që i lidh Avdylajt e trafikut të drogës me Edi Ramën dhe njerëzit e tij të besuar në Durrës. Llukashenko nuk ka vetëm në Minsk.

Ai është edhe në Tiranë, duke drejtuar, bashkë me Niçet e krimit të organizuar, qeverinë e Tiranës.

nice