Kundërshtarja e presidentit bjellorus, Sviatlana Tsikhanouskaya strehohet në Lituani

Kandidatja e opozitës në zgjedhjet presidenciale të Bjellorusisë, Sviatlana Tsikhanouskaya, ka ikur për në Vilnius dhe është “e sigurt”, tha Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Linas Linkevicius.

“Ajo ka mbërritur në Lituani dhe është e sigurt”, shkroi ministri i jashtëm në Twitter pa zbuluar detaje të tjera.

Lituania, një anëtar i BE-së dhe NATO-s dhe dikur pjesë e Bashkimit Sovjetik, shpesh u siguron strehim politikanëve të opozitës nga Rusia dhe Bjellorusia, raporton BBC.

Që nga e hëna në mbrëmje, pasi 37-vjeçarja kishte kaluar tre orë në selinë e Komisionit Zgjedhor për të kërkuar një rinumërim, vendndodhja e saj ishte e panjohur, transmeton Telegrafi.

E re në skenën politike dhe rivalja kryesore për presidentin e mëparshëm dhe fituesin e zgjedhjeve presidenciale të së dielës, Aleksandër Lukashenko, Tihanovskaya fitoi 10 përqind të votave, sipas Komisionit Zgjedhor, por ajo mendon se është fituese e zgjedhjeve.

Ajo gjithashtu vendosi të mos merrte pjesë në protesta kundër Lukashenkos për “provokimet” e mundshme. Ndryshe, raportohet se një burrë u vra në protestat e së hënës mbrëma pasi një pajisje shtëpiake i shpërtheu në duar.